Shqipëria

Fitër Bajrami “Covid Free” pas dy vitesh në Shqipëri


Namazi i Fitër Bajramit i falur në sheshin Skënderbej, tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme për të gjithë besimtarët myslimanë.

Por këtë herë, pas dy viteve, falja u kremtua jo në kushte pandemike të COVID-19.

Besimtarët e kryen faljen e tyre në orën 6:20 të mëngjesit duke mbyllur zyrtarisht muajin e agjërimit dhe sakrificës.

Sipas besimit islam, kjo ditë, është ajo në të cilën Allahu shpërblen besimtarët për gjithë sakrificën e tyre gjatë muajit të Ramazanit. Ky shpërblim, vjen në formën e paqes shpirtërore dhe faljes së mëkateve.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar të gjithë besimtarët.

“Të nderuar besimtarë dhe ju teleshikues, nga kudo që po na ndiqni – Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju! Sot, posa zbardhi agimi i mëngjesit, në të gjithë vendin po mbretëron gëzimi i festës së namazit të Fitër Bajramit”, tha ai.

Spahiu shtoi se kushdo që ka agjëruar ka fituar dimensione të reja shpirtërore e morale.

“Agjërimi është një obligim, një mundësi dhe një favor që na ka bërë Zoti për të pastruar të vjetrën dhe për t’i hapur rrugë të resë”.

Kreu i KMSH-së solli në vëmendje edhe luftëra dhe konfliket janë shfaqur sërish në vende të ndryshme të botës.

“Nga Lindja në Perëndim, pasojat e këtyre konflikteve ndihen kudo dhe ato i ndiejnë drejtpërdrejt njerëzit e pa fajshëm, fëmijët, të moshuarit, gratë. T’i lutemi Zotit për paqe e prosperitet në botë”, tha ai.

Fjalimi i tij u finalizua me një mesazh për të gjithë besimtarët.

“Të dashur shqiptar, ju uroj përzemërsisht gëzuar Fitër Bajramin, paçi gëzime e hare e begatinë e Zotit në familjet tuaja. Zoti e begatoftë vendin tonë dhe botën mbarë”!

Ceremonia u zhvillua me ilahi dhe fjalën e imamëve të pranishëm e më pas, besimtarët u drejtuan për në shtëpitë e tyre.

Aty vijohet me pjesën tjetër të festimeve, ndër to, edhe vizitat në shtëpitë e të afërmve dhe njerëzve të dashur.

Fiter Bajrami dhe simbolika  e tij

Për Albanian Post, imami i xhamisë së Novosejës, Xhevahir Lika, ka shpjeguar më me detaje simbolikën pas këtij kremtimi.

“Fitër Bajrami është festa e afrimit te zemrave”, thekson ai. “Kjo festë kremtohet nga të gjithë̈ besimtarët, sidomos prej atyre që kanë dhënë̈ kontributin shpirtëror dhe fizik gjatë Ramazanit.

Sipas imamit, festa në Islam është një ditë ku shfaqet gëzimi e hareja. Kjo, duke u plotësuar me adhurimin dhe falënderimin ndaj Allahut.

“Bajrami eshtë dita e shpresës, gëzimit dhe të shprehurit e dashurisë ndaj të tjerëve. Dita që duhet t’i japim fund xhelozisë, mërisë, hatërmbetjes dhe smirës ndaj të tjerëve. Dita e forcimit të vëllazërisë dhe miqësisë me njerëzit”.

Ndihma ndaj nevojtarëve, nuk duhet të mungojë në këtë ditë të veçantë sipas imamit. Kjo, pasi festa simbolizon bashkimin dhe shtrirjen e dorës ndaj të tjerëve.

Një apel nga ai, shkon për ta bërë këtë ditë, një tingëlluese më të madhe të lutjeve për familjarët dhe të dashurit. “Për shkak të dashurisë, shpirti vihet në lëvizje”, cilëson Lika.

Dashuri, që duhet të reflektohet edhe përmes sakrificës një mujore të Ramazanit.

“Sakrifica, është dashuria jonë ndaj krijuesit”, vlerëson ai. “Rrjedhimisht, edhe ndaj njëri-tjetrit, sepse sakrifica sjell edhe dashurinë”.

Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, i cili shënohet dy muaj e dhjetë ditë pas të parit, janë festat më të rëndësishme në besimin islam.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore