Shqipëria

Ekskluzive/ Dalin rezultatet paraprake të zgjedhjeve në PD, Basha fitues me mbi 80%


Votimet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike janë përmbyllur në orën 19:00 dhe tashmë pritet edhe fituesi i tyre.

Nga burime konfidenciale të Albanian Post brenda Partisë Demokratike, të dhënat paraprake nxjerrin qartësisht fitues kreun aktual të demokratëve, me mbi 80% të votave tërësore.

Midis kandidatëve të tjerë, ndahen rreth 18% të votave të mbetura. Agron Shehaj rezulton si i dyti më i votuar. Edith Harxhi ndjek e treta dhe më i pak i votuari rezulton Fatbardh Kadilli.

Në shifra konkrete, Basha rezulton fitues deri tani i 81.34% të votave. Ai ka marrë 32 mijë e 845 vota të anëtarësisë së demokratëve.

Shehaj ka rezultuar të fitojë 14.42% të votave me 5 mijë e 821 vota. Një shifër kjo e respektueshme duke marrë parasysh se aktiviteti i tij politik në mënyrë aktive daton vetëm katër vjet më parë.

Edith Harxhi rezulton të ketë fituar 2.36% duke grumbulluar 953 vota të demokratëve. Kuadrin e plotëson i pari që shpalli kandidaturën për të rivalizuar Bashën, Fatbardh Kadilli, me vetëm 2% të votave, e përkthyer në shifra, 757 në tërësi.

Kështu, Basha rikonfirmohet si kreu i demokratëve, me një fitore të ngjashme me atë përballë Sokol Olldashit në vitin 2013, kur ai fitonte me 80% të votave. Por, tashmë, 20%-shi i mbetur ndahet midis tre kandidatëve të tjerë.

Me këtë fitore, Basha rikonfirmon brenda PD-së edhe kauzën e tij për humbjen e radhës në zgjedhjet e 25 prillit – atë të vjedhjes së tyre nga socialistët.

Fushata kryesore e kryedemokratit u përqëndrua në sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama dhe një lufte që sipas tij, do të shërbejë për rikthimin e demokracisë në Shqipëri.

Mbi këtë, përtej zërave kundër, ai ka tashmë mbështetjen e mbi 80% të demokratëve.

Si kanë votuar demokratët shqiptarë në zona të ndryshme?

Numri më i lartë i anëtarësisë së demokratëve, është i përqendruar në Tiranë. Në gjithë njësitë administrative të Tiranës, vihet re një fitore e thellë e kryedemokratit.

Qarku i Durrësit, po ashtu e sheh kryedemokratin në epërsi të thellë votash ndaj tre rivalëve të tij.

Një qark surprizë, është ai i Vlorës, ku në disa njësi administrative, Shehaj ka epërsinë ndaj Bashës.

Kështu, në Selenicë, Shehaj kryeson ndaj Bashës me disa vota momentalisht. Shumë pranë është edhe zona e Himarës. Madje, edhe në zonën e qytetit të Vlorës, diferenca midis të dyve është thuajse e papërfillshme.

Kandidatët e tjerë, Harxhi dhe Kadilli, nuk janë gjë tjetër veçse efekte anësore në këto votime, të cilët rivalitetin kryesor kanë parë atë Basha-Shehaj.

Ndër zonat e tjera ku vlonjati ka një performancë të mirë, janë ato të Fierit, Gjirokastrës, Korçës dhe Elbasanit.

Pavarësisht kësaj, ndryshorja midis tij dhe Bashës është e madhe në tërësi.

Rezultatet e përgjithshme ndërkohë, pritet të shpallen mëngjesin e të hënës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore