Shqipëria

E vërteta prapa grilave: Kontrolli në paraburgimin e Vlorës


Në rrobat e një të dënuari në burgun e Rrogozhinës, nga një kontroll blic i kryer në 2014-n, u gjet një sasi droge, e llojit kokainë.

Ndërsa në burgun e Lezhës dhe Lushnjës, në vitin 2017, janë gjetur 10 thika, 15 telefona, si dhe pije alkoolike, nga njësitë speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve.

E çuditshme ka qenë dhe gjetja e një kazani që përdoret për prodhimin e rakisë, si dhe 10 kg bërsi rrushi.

Më vonë në shtator të 2018-s, nga një aksion blic i kryer në të gjitha burgjet e vendit, për një periudhë tre javore, janë kapur 17 telefona celular, 6 karta sim dhe 9 aksesorë të tjerë telefonash celularë; 135 doza lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa; 27 mjete prerëse të improvizuara nga të burgosurit.

Po ashtu, 20 celularë janë gjetur dhe në vitin 2019, në burgun e Fierit, nga një kontroll i pa njoftuar nga njësia speciale.

Më 11 korrik, kryelajm në Shqipëri ishte kontrolli blic “nga forcat speciale të policisë”, në qendrën e paraburgimit në Vlorë.

Sipas njoftimeve të mediave shqiptare, “plot 150 trupa nga Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur (RENEA) dhe nga Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë (FNSH), kanë kryer kontroll blic në burgun e Vlorës”.

Të kontaktuar nga Albanian Post (AP), përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, thanë se “RENEA dhe FNSH-ja nuk futen dot në burgje”. Sipas tyre, janë njësitë speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që ndërmarrin të tilla aksione.

“Asnjë nga forcat që janë të Ministrisë së Brendshme, nuk ka autoritetin të hyjnë në burgje”, thanë ata, duke shpjeguar se këto vendime merren nga vetë ata.

Po ashtu dhe Ministria e Drejtësisë e konfirmon se nuk kanë qenë forcat RENEA dhe FNSH ata që e kanë kryer kontrollin.

Pra, zyrtarisht policia nuk e kreu kontrollin.

Mirëpo, vetë Drejtoria e Burgjeve nuk ka dhënë një njoftim mbi rezultatet e këtij kontrolli. Pra, nuk ka një njoftim publik nëse është zbuluar ndonjë send i ndaluar.

Shkallët e hierarkisë

Burgjet kanë personelin e vet, i cili përbëhet nga gardianët, administrata dhe grupi i gatshëm.

Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka në përbërjen e saj, Policinë e Burgjeve, Grupin e Gatshëm, Njësinë e Shoqërimit (që bën transferimin nga një burg në një tjetër), si dhe Policinë Speciale.

Sipas gazetarit Artan Hoxha, vet strukturat komanduese të qendrave ku mbahen të burgosurit apo të paraburgosurit mund të jenë të përfshirë në thirrjen e aksionit blic, të zhvilluar dy ditë më parë, në qendrën e paraburgimit të qytetit bregdetar.

“Në rastin e Vlorës”, thotë ai për Albanian Post, “kontrolli bëhet ose kur drejtori i burgut do të parandalojë ndonjë ngjarje nga informatat që ka, ndaj kërkon ndihmë nga Tirana”.

Dhe rasti tjetër sipas Hoxhës është kur Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Drejtorisë së Burgjeve ka marrë informacion se aty mund të jetë futur ndonjë armë, ose ka shumë celularë”.

I mbajtur për hetim në një qeli 1 metër me 40, për plot shtatë ditë për shkak të “Kriminelët bëjnë qejf se burgu është plot”, Artan Hoxha ka dhënë versionin e tij për këto ngjarje.

Ai thotë se në vijimësi bëhet një kontroll bastisjeje ose krehjeje i të gjithë institucionit. Hoxha shpjegon se të dënuarit kanë qenë në paraburgimin e Vlorës, pra vijonin të mbesnin nën hetim.

Edhe pse në dukje janë “normale” dhe klasifikohen si “kontrolle rutinë”, drejtoria e burgjeve zgjedh të zhvillojë të tilla aksione në mënyrë të befasishme, pra pa njoftuar asnjë nga përfaqësuesit e institucionit.

Kjo ka vetëm një qëllim, sipas Hoxhës: “t’i kapë me presh në dorë, drejtuesit e institucioneve”.

“Njësia Speciale kanë shkuar nga Tirana me idenë të gjejnë gjë dhe s’kanë gjetur gjë. Prandaj kontrolli është i befasishëm, se po ti njoftosh, ata do t’i fshehin celularët”.

Burime konfidenciale të Albanian Post në Drejtorinë e Burgjeve dhe burgun e Vlorës, kanë treguar se kontrolli ka ndodhur në orën 10 të mëngjesit dhe ka zgjatur rreth një orë e 30 minuta. Është bërë pa prezencën e stafit të IVP-së Vlorë dhe ata janë njoftuar vetëm në përfundim të aksionit.

Ndonëse aksioni është bërë “me indicie për gjëra të mëdha, për sende, armë, apo drogë”, sërish nuk u zbulua gjë, sqarojnë burimet e AP-së.

Këto kontrolle bëhen për drogë, armë, sende të ndaluara, thika, mjete, leva, doreza hekuri, shufra hekuri, shkop bejsbolli, pije alkoolikë, hashash, kokaine, heroinë, celularë, lekë.

“Thjesht nja 2-3 tenxhere për rikontroll nëse ka ndonjë gjë brenda dhe nja 2-3 televizorë që i ishte grisur vula e institucionit”, thonë burimet, të jenë gjërat e vetme që janë gjetur gjatë kontrollit.

Po kështu thotë dhe Artan Hoxha. “Tenxherja u sekuestrua se ka qenë e pavulosur, e pa miratuar nga autoritetet”.

E vërteta për RENEA dhe FNSH

“Nuk ka shanse të jenë 100 trupa”, thotë gazetari Artan Hoxha.

“RENEA gjithsej ka 88 trupa, ku vetëm 40 prej tyre dalin nga Tirana. Të tjerët duhet të qëndrojnë në Tiranë”.

Këtë e ka shpjeguar duke marrë shembull reprezaljen në Shqipëri, që u zhvillua gjatë muajit qershor për orarin e muzikës, për të cilën u fol se ishin të angazhuara plot 2000 trupa në këtë aksion.

RENEA ditën e parë shkoi në Vlorë, në Durrës dhe Shkodër. Ditën e dytë shkoi në Fier, në Elbasan dhe në Lezhë.

Sipas Hoxhës, një nëngrup i RENEA ka 12 trupa. “Ndaj u deshën dy furgona për trupmëdhenjtë e RENEAS, për të kryer aksione blic. Kanë qenë tre persona të njësisë administrative operacionale si civilë”, shpjegon ai.

“Lokalet e zgjedhura nuk janë kuturu. Operacionalja e di që tek ky lokal rri filan banditi. Prandaj u gjetën me armë në dorë. Këto janë, jo për të zënë gjë, por për të demonstruar forcë”, nënvizon Hoxha.

Prandaj, përfundon ai, kanë qenë 36 veta të forcave RENEA dhe 12 efektivë të Njësisë Operacionale, pjesëmarrës në aksion.

Sipas raportimeve mediale gjatë kontrollit janë gjetur tela, kabuj antene, ngrohëse të improvizuara, tenxhere të vjetra, televizorë pa vulë. Ndërsa, zyrtarisht asnjë informacion nuk është dhënë lidhur me rezultatet e aksionit.

Megjithëse rezultatet janë mësuar në rrugë jozyrtare, ndoshta duhet të pritet fundi i vitit, koha kur kjo drejtori publikon statistikat vjetore të këtyre gjetjeve, për ta marrë vesh zyrtarisht rezultatin e këtij kontrolli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore