Lajme

Drejtuesit e Tesla-s mbeten jashtë makinave pas ndërprerjes së aplikacionit


Drejtuesit e makinave Tesla kanë njoftuar se kanë mbetur jashtë nga makinat e tyre pasi një ndërprerje goditi aplikacionin e prodhuesit të makinave.

Në mediat sociale, tregon agjencia e lajmeve “BBC”, dhjetëra pronarë postuan mesazhin në aplikacionin celular që po i pengonte ata të lidheshin me automjetet e tyre.

Elon Musk, shefi ekzekutiv i kompanisë, iu përgjigj personalisht një ankese të një shoferi në Korenë e Jugut, duke shkruar në platformën Twitter: “Kontrollo”.

Më vonë, ai ka shtuar se aplikacioni do të kthehej në internet.

Ky aplikacion i Tesla-s përdoret si çelës nga drejtuesit për të zhbllokuar dhe ndezur makinat e tyre.

Pronarët postuan një mori ankesash në internet duke mos qenë në gjendje të përdorin automjetet e tyre.

“Kam mbetur një orë larg shtëpisë sepse normalisht përdor telefonin tim për të ndezur makinën”, ka treguar një pronar makine në Twitter.

Të premten e 19 nëntorit, ishin afro 500 përdorues që raportuan një gabim në aplikacion, referuar faqes së gjurmimit të ndërprerjeve të quajtur DownDetector.

Kurse pesë orë më vonë, pati pak më shumë se 60 raportime për një gabim të tillë, tregon “BBC”.

“Ndjesë, do të marrim masa për të siguruar që kjo të mos ndodhë më”, ka pohuar Musk në Twitter.

Mirëpo, për ekspertët, aplikacioni nuk duhet të jetë mënyra e vetme për të hyrë në makinë.

Stuart Masson, redaktor i faqes së internetit “The Car Expert”, ka thënë për “BBC” se “duhet të ketë një mekanizëm dytësor për të hyrë ose dalë nga makina përtej aplikacionit”.

“Teknologjia i bën gjërat të përshtatshme, por mbështetet në një server që punon 100 për qind të kohës. Është njësoj si të largohem nga shtëpia pa kartat e mia të kreditit, duke pritur të paguaj për gjërat me telefonin tim inteligjent”, ka sqaruar ai.

Kështu që, Masson sugjeron të mos mbështetemi vetëm te një mekanizëm, pasi rrezikojmë të mbesim pa marrë shërbimin e kërkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore