Lajme

Drejtoria e Arsimit fillon planin për sigurinë në shkollat e Prishtinës


Drejtoria e Arsimit gjatë diskutimit për planin e sigurisë.

Në Komunën e Prishtinës, nga 7 qershori ka filluar plani i veprimit për sigurinë në shkolla.

Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“U bëmë bashkë me drejtorë të shkollave, Policinë e Kosovës, OSBE-në, Departamentin e Psikologjisë dhe Departamentin e Edukimit në UP, Ministrinë e Arsimit, UNICEF, Këshillin Rinor, Këshillin e Prindërve, KEC, Save the Children dhe psikologë shkollor që të hartojmë një plan që ka për qëllim të rritë sigurinë në shkollat e Prishtinës”, ka shkruar Musmurati në Facebook.

Ajo tutje ka njoftuar se Komuna e Prishtinës është zotuar për të bashkëpunuar pa ankesa për të kaluarën në mënyrë që të merren hapa konkretë për të ndikuar në rritjen e mirëqenies së nxënësve në shkolla.

Ndërsa, konsideron se me këtë plan veprim do të trajtohet siguria fizike, bullizmi, ngacmimet dhe mirëqenia e nxënësve në kushtet pas pandemisë.

Ndryshe, më 1 mars, një djalë 14 vjeç ka ndërruar jetë pas plagëve të marra me thikë në Prishtinë.

Viktima është therrur me thikë për vdekje, derisa po shkonte në shkollën “Hilmi Rakovica”, ku po vijonte klasën e nëntë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për Albanian Post se rasti ka ndodhur rreth orës 7:3o në rrugën Fahri Fazliu.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore”.

“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se  personi ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë) dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF), ku dhe është konstatuar vdekja e tij”, ka treguar Ahmeti.

Sipas, Skënder Halimit, drejtorit të shkollës “Hilmi Rakovica”, Skender Halimi, 14 vjeçari nuk ka vdekur brenda objektit të shkollës, por afër qendrës së mjekësisë familjare në këtë lagje, ku dyshohet edhe që është therurr me thikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore