Lajme

Vritet një 14 vjeçar në Prishtinë – një nxënës intervistohet nga policia, flet drejtori i shkollës


Një djalë 14 vjeç ka ndërruar jetë pas plagëve të marra me thikë në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për Albanian Post se rasti ka ndodhur rreth orës 7:3o në rrugën Fahri Fazliu.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore”.

“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se  personi ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë) dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF), ku dhe është konstatuar vdekja e tij”, ka treguar Ahmeti.

Vdekjen e viktimës R.H. 14 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QMF.

“Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, ka përfunduar Ahmeti.

Sipas, Skënder Halimit, drejtorit të shkollës “Hilmi Rakovica”, Skender Halimi, 14 vjeçari nuk ka vdekur brenda objektit të shkollës, por afër qendrës së mjekësisë familjare në këtë lagje, ku dyshohet edhe që është therurr me thikë.

Sipas drejtorit, nxënësi ka qenë djalë jo problematik.

Një nxënës i shkollë është marrë në pyetje nga policia.

Nuk dihet shkaqet pse ka ndodh rasti deri më tani.

Zyrtarë të shumtë policorë po qëndrojnë në vendin e ngjarjes.

Trupi i viktimës është dërguar për obduksion. Ndërkaq askush nga QKMF-ja nuk ka pranuar të flasë për këtë rast.

Në anën tjetër, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pas vizitës në vendin e ngjarjes, ka bërë të ditur se hetimet po zhvillohen me intensitet të lart dhe se rasti në fjalë pritet të zbardhet shpejt.

Ajo është shprehur se ndihet e tronditur nga ngjarja ku mbeti i vdekur nxënësi 14 vjeçar në Prishtinë.

“Tragjeditë si kjo e sotmja, ku ne humbëm një nxënës, janë alarm për gjithë shoqërinë që të bashkëpunojmë ngushtë për të mirën dhe sigurinë e fëmijëve tanë”, ka shkruar Nagavci.

Ministrja gjithashtu ka bërë thirrje që të mësimdhënësit dhe prindërit të punojnë edhe më shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve, që raste të tilla të mos përsërit më.

“Si Qeveri e Kosovës, bashkë me organet kompetente të sigurisë, po punojmë që të krijojmë sa më shumë siguri për fëmijët në shkollë, në rrugë e kudo”, ka shtuar ajo.

(Ky lajm fillimisht është publikuar në orën 10:00. Ju po lexoni versionin e përditësuar të lajmit)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore