Shqipëria

Dita Botërore Kundër HIV/AIDS: COVID-19 po ul vigjilencën ndaj grupeve të riskut


“Një fëmijë, çdo dy minuta u infektua me HIV në vitin 2020. Një fëmijë, çdo pesë minuta humbi jetën nga shkaqe të lidhura me AIDS-in”, sipas një raporti tё UNICEF, tё publikuar mё 29 nёntor 2021.

Por, sot, më 1 Dhjetor, në Ditën Botërore Kundër HIV/AIDS, duhen më pak se dy minuta për të kthyer vëmendjen te kjo epidemi globale, për të inkurajuar në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj kësaj sëmundjeje.

HIV është virusi, i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut, ndërsa AIDS është sëmundja e fituar prej mungesës së imunitetit dhe shkaktohet nga HIV.

Ky virus përhapet përmes kontaktit seksual me një person të infektuar, duke shkëmbyer gjilpëra me një person të infektuar, përmes transfuzioneve të gjakut të infektuar ose përmes një nëne të infektuar.

Një person i infektuar me virusin HIV, jo domosdoshmërisht, është i sëmurë me AIDS.

COVID-19 po ul vigjilencën ndaj AIDS-it në shumë vende

UNICEF në raport parashtron gjithashtu se pandemia e zgjatur e COVID-19 po thellon pabarazitë me epideminë e HIV-it.

Fëmijët, adoleshentët, gratë shtatzëna dhe nënat që ushqejnë me gji janë edhe më të rrezikuarit për të humbur jetën.

Sot, epidemia e HIV-it hyn në dekadën e pestë, por “me kushte të reja”, që “po zvogëlon përgjigjen ndaj AIDS-it në shumë vende”, sipas raportit.

Mes një pandemie globale (COVID-19), që ka mbingarkuar sistemet e kujdesit shëndetësor dhe ka kufizuar aksesin në shërbimet e shpëtimit, “ne mund të shohim më shumë fëmijë të infektuar me HIV dhe më shumë fëmijë që humbasin luftën e tyre kundër AIDS-it”, vë alarmin drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore.

Sipas saj, “ne duhet të rritim përpjekjet për të zgjidhur pabarazitë që nxisin epideminë e HIV-it, të cilat janë përkeqësuar nga COVID-19”.

Raporti vë në dukje se, në fillim të vitit 2020, shumë vende panë ndërprerje të konsiderueshme në shërbimet e HIV-it për shkak të coronavirusit.

Testimi i foshnjave për HIV, në vendet me virulencë të lartë, ra me 50% deri në 70%. Po ashtu u vu re një rënie me 25% deri në 50%, për fillimin e trajtimit te fëmijët nën 14 vjeç.

Një tjetër faktor, i cilësuar në raport, që çoi në rritjen e shkallës së infeksionit, për shkak të rritjes së dhunës me bazë gjinore dhe mungesës së aksesit për kujdesin e mëtejshëm, ishte karantinimi i vendeve.

Te disa shtete u vu re një reduktim i konsiderueshëm i dërgesave tek institucionet shëndetësore të testimeve HIV për nënat apo për fillimin e trajtimit antiretroviral për HIV.

Shembull ekstrem – pasqyruar në raport – mbulimi me ART midis grave shtatzëna në Azinë Jugore ra nga 71% deri në 56%.

Sipas raportit të publikuar nga Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara për HIV dhe AIDS (UNAIDS), më 29 nëntor 2021, përqindja më e lartë e fëmijëve që marrin trajtim me ART është në Azinë Jugore në 95 për qind.

Pasuar nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut 77%, Azia Lindore dhe Paqësori 59%, Afrika Lindore dhe Jugore 57%, Amerika Latine dhe Karaibe 51%, dhe Afrikën Perëndimore dhe Qendrore 36%.

Ndonëse u vu re një rikuperim në marrjen e duhur të shërbimeve, në mes të vitit 2020, nivelet e mbulimit mbeten shumë më poshtë se ato para COVID-19.

“Për më tepër, në rajonet me nivel të lartë të HIV, nëse pandemia tejzgjatet, ekuilibrat në shërbimet e kujdesit shëndetësor në përgjigjen globale ndaj HIV-it mund të prishen”, përmbyllet raporti i UNICEF.

Ndërsa raporti i UNAIDS, vë theksin se duhet të marrin hapat e nevojshëm në kohën e duhur.

Bota në 10 vitet e ardhshme mund të përballet me 7.7 milionë vdekje të lidhura me AIDS.

“Nëse nuk marrim hapat e nevojshëm për të trajtuar pabarazitë që shkaktojnë HIV-in sot, jo vetëm që do të dështojmë t’i japim fund pandemisë së AIDS-it, por gjithashtu do ta lëmë botën tonë të papërgatitur rrezikshëm për pandemitë e ardhshme”, përmbylli Helen Clark, pjesë e panelit të UNAIDS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore