Sport

Dashuria e parë nuk harrohet, as në futboll


Achraf Hakimi pak më ditë më parë kompletoi transferimin e tij te Paris Saint-Germain.

Marokieni u transferua në kryeqytetin francez pas një aventure shumë të suksesshme në Milano, me Inter-in.

Achraf njëkohësisht u bë edhe mbrojtësi i djathtë më i kushtueshëm në histori të futbollit, me transferimin e tij që kushtoi plot 60 milionë euro.

Deri tani, futbollisti ka pasur një karrierë mjaft të bujshme.

Ai ka luajtur në Gjermani, Itali, Spanjë dhe tani në Francë.

Për një 22-vjeçar, kjo arritje është e jashtëzakonshme, sidomos duke marrë parasysh që Achraf Hakimi ka qenë gjithnjë protagonist.

Karrierën e nisi te Real Madrid-i, ku pasi kaloi në çdo kategori, arriti të luaj edhe për skuadrën e parë.

Aty, Achraf Hakimi fitoi një Superkup Spanje, një Kupë të Botës për klube dhe një Ligë të Kampionëve.

Edhe pse është një ndër futbollistët më të kërkuar në botë dhe ka kompletuar transferimin te një ndër skuadrat më ambicioze në planet, ëndrra e madhe e Achraf-it, mbetet e pandryshuar.

Ajo është rikthimi në Madrid, si futbollist i rëndësishëm për klubin e fëmijërisë së tij.

Këtë e bëri të ditur agjenti i tij, Alejandro Camano, në një konferencë për shtyp.

“Achraf ende ëndërron të kthehet në Madrid një ditë”, u shpreh Camano.

“Ai është lindur në Madrid, është rritur në Madrid dhe një ditë ëndërron të luaj për Real Madrid-in, si futbollist kyç”, mbylli ai.

Achraf do të nis aventurën e tij me Paris-in menjëherë, por mesa duket, kudo që ai shkon, dashurinë e parë nuk e harron asnjëherë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore