Shqipëria

COVID-19: Hong Kong-u do të ndalojë udhëtarët nga Shqipëria duke filluar nga 29 dhjetori


Qeveria e Hong Kong-ut njoftoi të dielën e 26 dhjetorit se vizitorët nga Shqipëria do të ndalohen të udhëtojnë në kuadër të zhvillimeve më të fundit globale me pandeminë COVID-19.

Shqipëria së bashku me Xhamajkën dhe Maqedoninë e Veriut do të specifikohen si vende në Grupin A.

Vendimi do të hyjë në fuqi nga ora 00:00 e mëngjesit të datës 29 dhjetor.

“Si masë parandaluese dhe duke iu referuar rreziqeve përkatëse, qeveria do të specifikojë vendet jashtë shtetit që kanë zbuluar raste të Omicron si vende të specifikuara të Grupit A”, shkruhet në njoftimin zyrtar.

Duke vënë në dukje se zbulimi i rasteve të Omicron u konfirmua në Shqipëri, qeveria e Hong Kong-ut vendosi ta klasifikojë si shtet të Grupit A.

Banorët që nuk janë nga Hong Kong-u, të cilët kanë qëndruar në Shqipëri brenda 21 ditëve të fundit nuk do të lejohen të hyjnë në Hong Kong.

Banorët e Hong Kong-ut mund të marrin një fluturim për në Hong Kong vetëm nëse janë vaksinuar plotësisht dhe kanë një certifikatë të njohur vaksinimi.

Ata do të duhet më pas t’i nënshtrohen karantinës së detyrueshme në një hotel të caktuar për 21 ditë pas kthimit në Hong Kong.

Omicron në Shqipëri

Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi paraditen e 23 dhjetorit, se janë konfirmuar dy raste pozitive me variantin Omicron në Shqipëri.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Eugena Tomini, gjatë një deklarate për mediat, bëri publike se kemi prezencë të Omicron-it, “por më shumë të variantit Delta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore