Lajme

Çka është Parlamenti Sami, shembulli që mund të shërbejë për Asociacionin në Kosovë?


Parlamenti Sami në Suedi

Populli Sami në Suedi në vitin 1993 fituan të drejtën që si pakicë brenda Suedisë të kenë një parlament të tyre, të shkëputur nga mekanizmat shtetërorë suedezë. Parlamentin e fituan me të drejtën e autoktonitetit në territorin ku u formua shteti suedez. Mbi të njëjtin parim po mendohet të rregullohet edhe çështja e serbëve në Veri të Kosovës, sipas një dokumenti ekskluziv që e ka siguruar Albanian Post, i shkruar nga një diplomat i lartë ndërkombëtar i pozicionuar thellë brenda procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dokumenti tre-faqesh, i ndarë në 7 pika që u publikua ekskluzivisht në AP, merr konkretisht shembullin e popullit Sami në Suedi.

Modeli i Parlamentit Sami ndonëse nuk do të jetë domosdoshmërisht si një orientim konkret për Asociacionin të cilën Kosova duhet të formojë, do të shërbejë si një shembull që tregon se mund të ekzistojë një institucion i shkëputur nga nivelet e pushtetit të përcaktuar me kushtetutë, porse prapë nuk ndërton një shtresë të re pushtetit.

Parlamenti Sami në Suedi po ofrohet si një model evropian, në dokumentin i cili përmban një koment të detajuar mbi Statutin e Asociacionit të propozuar nga Ekipi Menaxhues dhe prezanton pikëpamjen e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për atë se çfarë do të jetë Asociacioni.

“Serbët e Kosovës kanë jetuar në Kosovë për shumë shekuj dhe ata kanë të drejtë të kërkojnë qartësi se ku qëndrojnë në Kosovë dhe ku qëndrojnë për marrëdhëniet e tyre të ardhshme, si komunitet, me Serbinë”, shkruan në dokumentin e siguruar nga Albanian Post.

Por, çka saktësisht është Parlamenti Sami dhe çfarë të drejtash fitoi populli Sami në Suedi përmes këtij mekanizimi?

Puna e organizuar e popullit Sami në Suedi për autonomi filloi në vitet e 50’ta me themelimin e “Asociacionit Sami” e cila kulmoi me themelimin e Parlamentit Sami i njohur ndryshe si “Sametinget” në vitin 1993.

Motivi kryesor për themelimin e Parlamentit Sami ishte njohja e statusit të këtij populli si popull indigjen dhe për të dalluar atë nga pakicat e tjera të cilët jetojnë në këtë shtet.

Arsyeja tjetër e themelimit të Parlamentit Sami kishte të bënte me pamundësinë e popullit Sami, si një pakicë relativisht e vogël në Suedi, të dërgonte ligjvënës në Parlamentin e Suedisë.

Parlamenti Sami është një përzierje e një parlamenti të zgjedhur nga populli dhe një agjencie administrative shtetërore me detyra të kufizuara dhe të rregulluara ligjërisht.

Si Agjenci qeveritare, Parlamenti Sami punëson rreth 50 nënpunës civil, të cilët kanë përgjegjësi/detyra për t’u kujdesur për çështje që kanë të bëjnë me kulturën dhe gjuhën e popullit Sami në Suedi.

Parlamenti Sami në anën tjetër përbëhet nga 31 anëtarë, të zgjedhur për një mandat katërvjeçar. Të njëjtit mblidhen tre herë në vit.

Politikanët Sami të zgjedhur nga populli Sami të cilët janë të regjistruar në regjistrin lokal – i hapur vetëm për ata që flasin gjuhën Sami dhe e përkufizojnë veten si pjesë e shoqërisë Sami – i japin më shumë rëndësi Parlamentit Sami, si një organ të pavarur të zgjedhur nga populli, sesa si një agjenci administrative shtetërore, kjo pasi që Parlamenti Sami, në cilësinë e një agjencie shtetërore duhet t’i përshtatet politikës dhe vendimeve që merren në Parlamentin Suedez.

Ky tentim theksimi i politikanëve Sami se Parlamenti është një organ i pavarur në shumë raste ka paralizuar dhe kufizuar rolin e tyre, pasi sipas ligjit Parlamenti Sami është një agjenci, e vendosur nën qeverinë.

Pra thënë ndryshe vetë-qeverisja të cilën e fitoi populli Sami mbi parimin e popullit autokton në Suedi nuk ka të bëjë me formimin e një shteti të ri, por ky mekanizëm i jep të drejta në vendimmarrje në çështjet që i shqetëson këtë popull.

Parlamenti Sami ka një status të veçantë.

Detyrat e Parlamentit Sami janë shkruar në një akt dhe jo nga një urdhër i Qeverisë Suedeze.

Vetë-qeverisja e popullit Sami në Suedi përfshinë të drejtën e tyre të vendosin për zhvillimin e tyre financiar, social dhe kulturor.

Populli Sami zotëron të drejtën për të ruajtur identitetin e tij si një popull i veçantë.

Samitë në Suedi kanë të drejtë edhe për t’u konsultuar në cilësinë e popullit, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me popullin Sami.

Ndryshe më 1 prill të vitit 2000, Suedia njohu zyrtarisht gjuhën e popullit Sami si gjuhë të pakicës kombëtare.

Legjislacioni i miratuar siguronte të drejtën për të përdorur Gjuhën Sami në institucionet shtetërore dhe gjykatat.

Kushtetuta e Suedisë u ndryshua edhe në vitin 2011 për të përmirësuar jetën e popullit Sami në Suedi.

Ndryshimi Kushtetues në Suedi ndodhi vetëm e vetëm për të promovuar mundësitë e popullit Sami për të ruajtur dhe zhvilluar jetën e tyre kulturore dhe sociale.

Dokumenti Ekskluziv me propozimin ndërkombëtar: Asociacioni do jetë edhe autoritet administrativ, me identitet të dallueshëm juridik, por që nuk formon pushtet të tretë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore