Sport

Champions League vjen me duelin ‘mitik’, Bayern përballet me Real Madridin


Harry Kane - Jude Bellingham (DAZN)

UEFA Champions League do të vijë këtë të martë me gjysmëfinalen e parë. Bayern Munich do të presë Real Madrid-in në “Allianz Arena”, duke filluar nga ora 21:00.

Duke i shuar të dy shpresat angleze (Arsenal, Manchester City) për titullin e Champions League, gjigantët gjermanë Bayern Munich dhe titanët spanjollë Real Madrid përplasen në ndeshjen e parë të një gjysmëfinaleje të mrekullueshme në “Allianz Arena” të martën mbrëma.

Djemtë e Thomas Tuchel kaluan Arsenal-in në tetë e fundit, ndërsa 14-herë fituesit e turneut kryesor të Evropës eliminuan mbajtësin e titullit, Manchester City-n me penallti.

I rrëzuar si kampionë i përhershëm në Bundesliga, i eliminuar nga DFB-Pokal dhe i mundur nga RB Leipzig në Superkupë, Champions League do të jetë rruga e vetme shpëtimtare e Bayern-it përpara se Tuchel të largohet nga klubi në fund të sezonit.

Bayern-i, i cili me sa duket do të udhëhiqet nga Ralf Rangnick për 2024-25, nuk ishte në gjendje të përsëriste goditjet e mëparshme 5-1 ndaj Arsenal-it në tetë të fundit, por një triumf 1-0 në ndeshjen e dytë ndaj tyre, i mjaftoi skuadrës së Tuchel pas një barazimi 2-2 në Londrën Veriore.

Në krahun tjetër do të jetë një ekip ekspert në Champions League si Real-i. 14 herë fituesit e kompeticionit kaluan me vështirësi ndaj Manchester City-t. Takimi i parë në Madrid përfundoi 3-3, ndërsa, në Mançester pas barazimit 1-1, takimi u fitua 4-3 me penallti nga spanjollët.

Real Madrid-i është në rrugë të mbarë për të fituar titullin në La Liga këtë sezon ku qëndron 11 pikë larg Barcelona-s së vendit të dytë me pesë ndeshje të mbetura deri në fund.

Bayern Munich kundër Real Madrid-it është ndeshja e luajtur më shumë në historinë e Kupës Evropiane/ Champions League (26), nga të cilat 24 në fazën eliminatore të kompeticionit, që është gjithashtu një rekord mes dy skuadrave.

Është hera e tetë që Bayern Munich dhe Real Madrid shortohen së bashku në një gjysmëfinale të Kupës Evropiane/ Champions League. Pasi ka kapërcyer katër nga pesë takimet e para midis 1976 dhe 2012, Bayern është eliminuar në secilën nga dy të fundit (2013-14 dhe 2017-18).

Bayern nuk ka fituar asnjë nga shtatë ndeshjet e fundit kundër Real Madrid-it, duke humbur gjashtë. Kjo është seria më e gjatë e ndeshjeve të njëpasnjëshme pa fitore, ndaj një kundërshtari të vetëm, në një kompeticion europian për gjermanët.

Real Madrid-i ka fituar secilën nga tre ndeshjet e fundit jashtë fushe kundër Bayern Munich-ut (0-4 në 2013-14, 1-2 në 2016-17 dhe 1-2 në 2017-18), seria më e gjatë e fitoreve radhazi në kompeticion. Në fakt, asnjë ekip tjetër nuk ka fituar më shumë ndeshje radhazi jashtë shtëpisë kundër Bayern-it.

Real Madrid-i ka mbetur i pamposhtur në 10 ndeshjet e fundit të Champions League, gjatë gjithë këtij sezoni. Vetëm një herë “Los Blancos” kanë regjistruar një ecuri më të gjatë të pamposhtur në një edicion të vetëm të kompeticionit: në 2016-17 (11), kur ata vazhduan të fitonin turneun.

Bayern Munich ka humbur vetëm një nga 24 ndeshjet e fundit në shtëpi në Champions League dhe është i pamposhtur në 15-shen e fundit, që nga humbja ndaj Paris Saint-Germain në prill 2021 (2-3).

Real Madrid ka shënuar shtatë gola nga sulmet direkte në këtë Champions League, asnjë si spanjollët.

Harry Kane ishte i përfshirë në 10 gola në 10 ndeshje për Bayern Munich-un në këtë Champions League. Nëse ai do të shënonte ose asistonte kundër Real Madrid-it, ai do të vendoste një rekord të ri për një lojtar anglez në një edicion të vetëm të kompeticionit (gjithashtu 10 për David Beckham në 1998-99 dhe 2001-02 dhe Steven Gerrard në 2007-08).

Në mesin e lojtarëve që kanë tentuar më shumë se 50 driblime në Champions League që nga fillimi i sezonit të kaluar, katër me përqindjen më të lartë të suksesit janë të gjithë lojtarë të Bayern Munich-ut: Alphonso Davies (62.1%), Leroy Sane (60.3%), Jamal Musiala. (60.2%) dhe Kingsley Coman (60.0%). Në vend të kësaj, lojtari me numrin më të madh të driblimeve të kryera në turne, në periudhën e konsideruar, është Vinicius Junior (68).

Ndeshja e kthimit mes Real Madrid-it dhe Bayern Munich-ut do të luhet në stadiumin “Santiago Bernabeu” më 8 maj, ora 21:00.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale në Champions League do të jetë mes Borussia Dortmund-it dhe PSG-së. Takimi i parë zhvillohet të mërkurën në “Signal Iduna Park”, ndërsa ndeshja e kthimit luhet në “Parc des Princes” më 7 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore