Sport

Bundesliga/ Furth-i kërkon fitoren e parë sezonale, Eintracht-i synon kthesën me Leverkusen-in


Dy ndeshje do të luhen këtë të diel në Bundesliga-n gjermane. Greuther Furth-i përballet me Union Berlin-in. Eintracht Frankfurt-i përballet me Bayer Leverkusen-in.

Ndeshjet luhen për javën e 15 në Bundesliga. Pikërisht këto dy ndeshje do të përmbyllin javën.

Sfida e parë do të luhet në “Sportpark Ronhof Thomas Sommer”. Furth-i do të përballet me Union-in, duke filluar nga ora 15:30.

Vendasit renditen të fundit në tabelën e klasifikimit me vetëm një pikë pas 14 javëve të luajtura. Miqtë renditen në vendin e gjashtë me 23 pikë.

Të vetmen pikë që kanë vendasit e kanë fituar në shtëpi. Furth-i ka shënuar gjashtë gola në gjashtë ndeshjet si ekip pritës dhe ka pësuar 15.

Union-i në transfertë numëron një fitore, tre barazime dhe dy humbje. Ka shënuar 10 gola dhe ka pësuar 12.

Sfida e fundit mes dy skuadrave ishte në vitin 2019. Kohë kur të dy skuadrat ishin pjesë e Bundesliga 2. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1.

Në “Commerzbank Arena” do të luhet ndeshja e fundit e kësaj të diele dhe e javës së 15 në Bundesliga. Eintracht-i vendas do të përballet me Leverkusen-in, duke filluar nga ora 17:30.

Eintracht-i renditet në vendin e 12 me 18 pikë. Leverkusen-i renditet i treti me 27 pikë.

Në ndeshjet si ekip pritës, Frankfurt-i ka grumbulluar shtatë pikë, një fitore, katër barazime dhe një humbje, duke qenë një nga ekipet më të dobëta. Ka shënuar gjashtë gola dhe ka pësuar po gjashtë.

Leverkusen-i në transfertë numëron katër fitore dhe tre barazime. 15 pikë të grumbulluara për “aspirinat”. Vetëm Bayern Munich-u ka rezultate më të mira në transfertë se ata, pasi ka arritur të marrë një pikë më shumë.

Përballja e fundit mes dy skuadrave ishte në prill të këtij viti. Ndeshja përfundoi me fitoren e Leverkusen-it në shifrat 3-1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore