Boterori 2022

Brazili mposht Zvicrën dhe e kalon fazën e grupeve


Pjesa e parë në përgjithësi ishte e mbyllur, me lojën që kryesisht u zhvillua në mes të fushës.

Rastin më të mirë për shënuar e kishte Brazili në minutën e 27. Raphinha harkoi për mrekulli te Vinicius Junoior në zonë, por goditjen e tij nga afër e ndali portieri zviceran, Yann Sommer.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, derisa të dytën e nisën disi me një ritëm më të lartë Zvicra.

Megjithatë, brazilianët arritën të shënojnë të parët në minutën e 64-të, me anë të Vinicius, por goli u anulua nga sistemi VAR, pasi që Richarlison ishte në pozicion jashtë loje gjatë atij aksioni.

Pas këtij rasti, loja foli e tëra thuajse në favor të brazilianëve, të cilët u hodhën në sulm për ta kërkuar golin e epërsisë.

Dhe, atë e gjetën në minutën e 83-të me një aksion të bukur. Rodrygo bëri një asistim perfekt për Casemiro-n dhe ky i fundit shënoi një gol shumë të bukur në portën e Zvicrës.

GOLI I CASEMIRO.

Në vazhdim, Brazili pati mundësi për ta thelluar epërsinë, por gola më nuk pati.

Vlen të theksohet se Granit Xhaka pati një paraqitje shumë të mirë në këtë ndeshje, ndërsa Xherdan Shaqiri për çudi nuk u inkuadrua fare nga trajneri Murat Yakin.

Ndeshjen e ardhshme Zvicra do ta luajë ndaj Serbisë, ndërsa Brazili ballafaqohet me Kamerunin.

Në rast se Kameruni nuk bën ndonjë befasi (ta mposht Brazilin), atëherë Zvicrës do t’i mjaftonte edhe një barazim ndaj serbëve për të vazhduar tutje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore