Lajme

Branbiç pas takimit me ministren austriake: Pa themelimin e Asociacionit dialogu me Kosovën e humb kuptimin e tij


Kryeministrja e Serbisë, Ana Branbiç, është takuar me ministren për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edstadler, me të cilën ka biseduar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, raportojnë mediat serbe.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, Brnabiç ka theksuar se “formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është pritur për 10 vjet dhe se pa themelimin e tij vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve e humb kuptimin”.

Ajo ka thënë se Serbia vlerëson përkushtimin e Austrisë në procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe se shpreson në mbështetje të vazhdueshme për Serbinë në këtë rrugë.

“Serbia është e vendosur të vazhdojë procesin e reformave, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit”, theksoi ajo.

Të dielën, Edstadler, në një prononcim për një nga mediat e pakta në gjuhën serbe në Kosovë “Kosovo-Online”, tha se progresi në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për stabilitetin e rajonit.

“Progresi në dialog është i domosdoshëm për stabilitetin e rajonit. Ne presim angazhim të mëtejshëm dhe konstruktiv të palëve në mënyrë që të zbatohen shpejt të gjitha marrëveshjet”, tha Edstadler, e cila do të vizitojë Beogradin të hënën.

Ajo theksoi se Austria e mbështet Bashkimin Evropian në rolin e saj si lehtësuese në dialog, ndërsa shtoi se Serbia – vend kandidat për anëtarësim në BE – duhet t’i harmonizojë politikat e saj me ato të BE-së, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.

“Është e rëndësishme që Evropa të jetë e bashkuar – si një komunitet vlerash – dhe të mos lejojmë ndarje. Këtu, natyrisht, përfshihen edhe vendet kandidate, të cilat janë partnerë të pazëvendësueshëm për ne”, theksoi Edstadler.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore