Kosova

Bislimi akuzon BE-në për mbyllje të syve, Serbinë për shkelje të marrëveshjeve


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, për arrestimin e tre zyrtarëve policorë nga policia e Serbisë e ka akuzuar atë për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjeve.

Duke thënë se Bashkimi Evropian ka mbyllur sytë karshi kësaj situate.

Këtë reagim Bislimi e ka bërë përmes një cicërime në rrjetin social ‘Facebook’.

“Vrazhdësia me të cilën Serbia po shkel marrëveshjet është e krahasueshme me vullnetin e Brukselit për t’i mbyllur sytë karshi këtyre shkeljeve”, ka shkruar Bislimi.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës, ku ka kërkuar lirimin e menjëhershmen të tyre si dhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare për këtë rast.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se “tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë”.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe.

“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai tutje ka thënë se nuk ka ndonjë dilemë që zyrtarët policorë kanë qenë brenda territorit të tyre.

“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”.

Sveçla ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të rritet presioni ndaj Serbisë për lirimin e tyre.

Edhe nga Policia e Kosovës është konfirmuar lajmi për arrestimin e tre zyrtarëve kufitar patrullues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore