Shqipëria

Berisha thotë se ndryshimet në PD nuk mjaftojnë për të fituar zgjedhjet


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ndryshimet në selinë blu nuk mjaftojnë për të fituar zgjedhjet lokale.

Lajmi u bë i ditur gjatë fjalës së ish-kryeministrit në konferencën “Gratë kandidate dhe fituese”.

“Jemi sot opozitë e vërtetë, përballemi çdo ditë me qeverinë dhe kjo jo si qëllim në vetvete, por për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë dhe për të shpalosur alternativën tonë. Të gjitha këto janë ndryshime shumë pozitive, por nuk mjaftojnë për të fituar ne”, u shpreh fillimisht kryedemokrati.

Sipas tij, nga demokratët kërkohen ndryshime të tjera të thella.

Për Berishën, njëri prej ndryshimeve që mund të shënohet është ai i rolit të gruas përmes ridimensiomit në PD, në jetën politike dhe në Shqipëri.

Sa i takon primareve brenda forcës politike që drejton, ai garantoi se këto të fundit do t’i japin fund “kryetarokracisë”.

“Ata do zgjidhen nga anëtarët dhe mbështetësit tanë, i japin fund kryetarokracisë, si një rrugë e sigurt për të shmangur autokracinë, në parti dhe në vend në të ardhmen”, shtoi Berisha.

Kreu i selisë blu rezervoi sërish disa fjalë edhe për qeverinë aktuale, duke cilësuar se pushteti i saj mbahet më këmbë “nga dobësia e opozitës”.

“Ne jemi në mandatin e tretë në opozitë, kjo jo për merita të qeverisë, por për dobësinë e opozitës. Ne kemi pasur dhe kemi një qeveri të bazuar në skandale ‘scandal base government’. Ky udhëtim i opozitës në këto vite ka qenë një udhëtim topitës”, tregoi Berisha.

Në vijim, ai deklaroi se si asnjëherë në këto 30 vite, “dora e qeverisë u shtri mbi opozitën dhe te shqiptarët u krijua përshtypja se Edi Rama është i pamundshëm”.

Në këtë kontekst, nënvizon ish-kryeministri, PD-ja ndodhej para alternativës ‘to be or not to be’, të ekzistonte apo të shkrihej.

“Por, unë mendoj se ajo duhet të ekzistonte sepse mbi 620 mijë shqiptarë e votuan në zgjedhjet e fundit. Por ajo që të ekzistonte duhet të ndryshonte në mënyrë rrënjësore. Duhet të paraqitet para shqiptarëve një parti tërësisht e ndryshuar, përndryshe ata nuk kanë asnjë arsye të na besojnë ne”, ravijëzoi në përmbyllje Sali Berisha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore