Shqipëria

Begaj uron Siljanovska-Davkova-n: Së bashku do të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet mes vendeve


Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ka uruar fituesen e zgjedhjeve presidenciale nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova.

Përmes një postimi në platformën X – dikur Twitter shkruan se “jam i i bindur se së bashku do të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet tashmë të shkëlqyera mes vendeve tona mike”.

Kjo, “si anëtarë të NATO-s dhe si anëtarë të ardhshëm të BE-së, kauzë për të cilën komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut mbetet plotësisht i përkushtuar”.

Nga 99.97 për qind të votave të numëruara në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE – fituesja e rundit të parë – ka korrur një fitore të thellë ndaj kundërkandidatit nga radhët e LSDM, Stevo Pendarovski.

Siljanovska-Davkova ka mbledhur plotë 560 mijë e 744 vota, apo 65.15 për qind.

Ndërsa Pendarovski – presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut – ka arritur të grumbullojë vetëm 251 mijë e 755 vota, apo 29.25 për qind.

Ndërsa, në taborin shqiptar fitues është “Fronti Evropian”, me lider Ali Ahmetin, me 19 mandate, duke u renditur forca e dytë me numër mandatesh në nivel republikan, derisa në raport me koalicionin e partive opozitare shqiptare prin me një diferencë prej 30 mijë votash.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, me 99,27 për qind të votave të numëruara, VMRO-DPMNE ka marrë 58 mandate deputetësh në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, nga 120 sa i ka gjithsejtë.

I dyti me mandate deputetësh është “Fronti Evropian”, me 19 sosh, i pasuar nga partia maqedonase që deri më tani kishte pushtetin, LSDM-ja, e cila do të ketë 18 ulëse në parlament.

Pas saj, i katërti në nivel republikan radhitet koalicioni “VLEN”, me 13 mandate deputetësh.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore