Lajme

BE-ja i cilëson “hapa në drejtimin e duhur” zhvillimet në veri, por të “pamjaftueshëm” për heqjen e sanksioneve


Ilustrim

Autoritetet kosovare janë në pritje të njoftimit të Bashkimit Evropian për heqjen e “masave ndëshkuese”, pas ujdisë së arritur në Bratisllavë të Sllovakisë dhe tërheqjes së 50 për qind të forcave speciale policore nё dhe rreth ndërtesave komunale në katër komunat veriore, por nga BE-ja kanë thënë se janë në pritje të hapave të mëtejshëm.

“BE-ja mirëpret njoftimin e fundit nga Qeveria e Kosovës për reduktimin e mëtejshëm prej 25 përqind të pranisë policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, ka thënë për Albanian Post, Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme.

Në kryeqytetin e një vendi që akoma s’e ka njohur Kosovën, më 10 korrik, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte pranuar të gjithë hapat dhe afatet strikte të kërkuara nga BE-ja për de-eskalimin e situatës në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë, ku parashihej që brenda 14 ditësh të zbatohet plani në tërësi.

Tërheqja e 50 për qind të forcave elitare të Policisë së Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri nuk e mbulon faktin se Qeveria e Kosovës ka marrë obligim shtetëror tërheqjen e 100 për qind të njësive speciale policore nga veriu i trazuar i vendit.

Qeveria e Kosovës aktualisht po përballet me “shkopinj të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, ndërsa situata nuk do të ndryshojë derisa autoritetet të ndërmarrin të gjithë hapat që janë kërkuar paraprakisht.

Për t’i dhënë fund krizës aktuale, nga BE-ja kanë specifikuar se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në përputhje me deklaratën e 27 vendeve të BE-së me 3 qershor.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, më 1 korrik, ka marrë vendim që të fillojnë procedurat për largimin e katër kryetarëve shqiptarë nga pozita – Lulzim Hetemi, Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Erden Atiç – nëpërmjet një Udhëzimi Administrativ që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës, të mbajtura në muajin prill, sipas emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, ishin “mina tokësore”, ku ka shkelur gabimisht bashkësia e organizuar ndërkombëtare, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët në terren kanë nxjerrë ndonjë mësim nga kjo përvojë e pakëndshme.

Zbret në 50 për qind “sovraniteti policor” në Veri

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore