Lajme

Zbret në 50 për qind “sovraniteti policor” në Veri


Ilustrim

Në Bratisllavë të Sllovakisë, më 10 korrik, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte pranuar të gjithë hapat dhe afatet strikte të kërkuara nga Bashkimi Evropian për de-eskalimin e situatës në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë, ku parashihej që brenda 14 ditësh të zbatohet plani në tërësi.

Tërheqja e 25 për qind e më pas 50 për qind të forcave elitare të Policisë së Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në Veri nuk e mbulon faktin se Qeveria e Kosovës ka marrë obligim shtetëror tërheqjen e 100 për qind të njësive speciale policore nga veriu i vendit, megjithëse ekzekutivi po synon zbatimin e planit me rata dhe fshehtë nga sytë e publikut.

Këtë të premte, më 4 korrik, pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe konstatimit se “situata është e qetë” do të nisë faza e dytë e reduktimit të pranisë policore në veriun e trazuar të vendit.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka konsideruar nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter” se vendimi i Qeverisë së Kosovës është “hap i rëndësishëm” drejt de-eskalimit të plotë të situatës në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

“Unë e mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sigurisë së mes Policisë së Kosovës, misionit të EULEX-it dhe KFOR-it, ashtu siç është rënë dakord në Bratisllavë. Ky është hap i rëndësishëm drejt de-eskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës”, ka shkruar emisari Lajçak në llogarinë e tij, të enjten në mbrëmje.

Qeveria e Kosovës aktualisht po përballet me “shkopinj të rëndë” për shkak të nxitimit të pakujdesshëm të zyrtarëve institucionalë dhe degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, ndërsa situata nuk do të ndryshojë derisa autoritetet të ndërmarrin të gjithë hapat që janë kërkuar paraprakisht.

Zëvendëskryeministri Bislimi, njëherë kryenegociator i palës kosovare në dialogun me Serbinë nën patronazhin e BE-së, ka thënë se është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e “masave ndëshkuese”, pas ndërmarrjes së “hapit të parë të rëndësishëm” drejt de-eskalimit e që do t’i jepte fund erës së dyshimit, duke hapur atë të sigurisë.

“Pas marrëveshjes së Bratisllavës, ka një proces të besueshëm drejt de-eskalimit. Situata është e qetë tash e disa javë – konfirmuan dje bashkërisht Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i. Kosova po respekton plotësisht obligimet e saj nga marrëveshjet dhe beson se pala tjetër do të bëjë të njëjtën gjë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij.

Ndërkaq, shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, në një intervistë për “Euroneës Serbia”, ka theksuar të enjten se prania e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës në veri është reduktuar “jashtëzakonisht shumë”, ndërsa nuk e ka lënë pa e përmendur se EULEX-i ka shtuar praninë e tij atje.

“Prania e policisë speciale të Kosovës në veri është reduktuar jashtëzakonisht shumë dhe ky ishte hapi i parë i ndërmarrë nga autoritetet në Prishtinë. EULEX-i gjithashtu ka shtuar praninë e tij në veri – tani kemi patrullat tona që synojnë të plotësojnë boshllëkun e krijuar pas dorëheqjes së policëve serbë në fund të majit 2022”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reduktimin e pranisë së njësiteve elitare policore në katër komunat veriore e kishte kushtëzuar me largimin e “ekstremistëve të dhunshëm, grupeve ilegale dhe kriminale”, por aktualisht, në Veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat kërcënojnë me rezistencë.

“Ata, ose le të shkojnë në Serbi, ose duhet t’i çojmë në burg. Mirëpo, nuk ka mundësi që ne të mos i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e Republikës nga bandat e tilla. Kur ato të largohen ose mbyllen, ne do të mund të zvogëlojmë prezencën”, deklaronte kryeministri, në fillim të qershorit.

Megjithatë, për t’i dhënë fund krizës aktuale dhe rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, nga BE-ja kanë konsideruar se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat veriore  dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, pra me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve.

“BE-ja pret që të dyja palët të përmbushin angazhimet e tyre të dialogut dhe kërkesat e BE-së për de-eskalim pa vonesa të mëtejshme, të angazhohen në mënyrë konstruktive në proces dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhej në përgjigjen e BE-së, më 3 korrik.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, më 1 korrik, ka marrë vendim që të fillojnë procedurat për largimin e katër kryetarëve shqiptarë nga pozita – Lulzim Hetemi, Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Erden Atiç – nëpërmjet një Udhëzimi Administrativ që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës, të mbajtura në muajin prill, sipas emisarit Lajçak, ishin “mina tokësore”, ku ka shkelur gabimisht bashkësia e organizuar ndërkombëtare, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët në terren kanë nxjerrë ndonjë mësim nga kjo përvojë e pakëndshme.

Po qe se dëshirohet të shmanget konflikti i mëtejmë, mësimi nga episodi i dhunshëm në veri të Kosovës është se kërkohet angazhim i hershëm para se njëra apo pala tjetër t’i futen spirales së dhunës dhe të bëjnë që zgjidhja e balancuar në frymën e kompromisit të jetë e pamundur.

Diplomatët evropianë dhe ata amerikanë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel (27 shkurt) dhe më pas në mes të marsit në Ohër (18 mars).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore