Shqipëria

Basha nuk pranon të flasë pa Ramën në sallë


Nisja e seancës plenare pas 45 minutash ndërprerjeje me kërkesë të opozitës, për shkak të mungesës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka filluar me tone të ashpra ndërmjet palëve.

Opozita ka vijuar me kërkesën e saj për praninë e Ramës në Kuvend, pasi ky i fundit njoftoi se do të paraqitej në orën 17:00.

Kjo nuk ndodhi dhe seanca u ndërpre për 10 minuta të tjera.

Më herët, kryedemokrati Lulzim Basha nuk ka pranuar që të flasë në seancën plenare të mbajtur më 16 shtator.

Ka qenë kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rrushaj, i cili ka kërkuar ndërprerje të seancës.

Sipas tij, Edi Rama duhet të ishte në sallë, ashtu siç ishte “opozita kur Rama prezantoi programin”.

Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, gjatë seancës së sotme plenare
Reagimet

“Opozita e respektoi detyrimin e saj kushtetues, të ndërpritet seanca, të vijë kryeministri dhe të vijojë më pas”, tha Rrushaj.

Kjo ishte faza e tretë e diskutimeve, ku do të zhvillohej debat i lirë.

Radhën për të folur e kishte kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili nuk pranoi të ngjitej në foltore.

Sipas deputetëve të PD-së, kryeministri duhet të dëgjojë vendimin e opozitës, për të mbrojtur programin që prezantoi.

Nga ana tjetër, Nikolla e ka cilësuar këtë kërkesë “jo pjesë të rregullores së Kuvendit”.

Edhe për kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kjo kërkesë nuk mbështetet në asnjë nen të rregullores.

Opozita kërkoi pezullim dhe mbledhje të Konferencës së Kryetarëve, pasi kjo është seanca më e rëndësishme plenare.

Alfred Rrushaj, kreu i grupit parlamentar të PD-së
Seanca e 16 shtatorit

Kjo seancë maratonë ka filluar që në orën 10:00 të së enjtes së 16 shtatorit. Në fazën e parë të saj u miratuan procesvebalet e mbledhjes së shkuar.

Më pas do të ishte kryeministri i Shqipërisë, i cili do të prezantonte programin e qeverisë për katër vitet e ardhshme.

I gjithë programi, në thelb, kishte të të bënte me vizionin “Shqipëria 2030”, e cila ka qenë ligjërata dhe fokusi i kryeministrit Edi Rama gjatë gjithë fushatës së tij para zgjedhjeve të 25 prillit.

Pesë janë shtyllat kryesore, ku do të fokusohet kjo qeveri e prezantuar më 2 shtator nga Rama.

E para ka të bëjë me rimëkëmbjen e ekonomisë nga tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia e COVID-19, që u shfaq në Shqipëri në mars 2020.

Vijon me të dytën në radhë, që është mirëqenia e të gjithëve, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë.

E treta ka të bëjë me modernizimin për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve.

Jo më pak e rëndësishme, në fokus të kësaj Qeverie, do të jetë dhe familja, si themeli ku, sipas tyre, do të ndërtohet e ardhmja.

E fundit nga radha e pesë shtyllave të qeverisë është kurorëzuar me termin “Shqipëri e fortë”, që ka të bëjë me ndërtimin e një shteti të fortë, vëmendje për çdo shqiptar dhe me dinjitet në botë.

Në fazën e dytë ishin pyetjet drejtuar kabinetit ministror, mbi projektet e reja dhe ato që janë në zhvillim.

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, gjatë seancës plenare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore