Shqipëria

Balla viziton në spital turistët zviceranë që u shpëtuan në malin e Korabit


Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vizituar në Spitalin e Traumës në Tiranë, dy turistët zviceranë që u shpëtuan pas një aksioni të koordinuar të disa strukturave shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës, të bllokuar nga dëbora, në një zonë të vështirë të malit të Korabit.

Ai u interesua rreth shëndetit të tyre dhe falënderoi oficerët e KFOR që realizuan transportin helikopter, nga një pikë e vështirë malore në zonën e  Kalasë së Dodës.

“Si në shtëpinë dhe në besën e shqiptarit. Ka përfunduar me sukses shpëtimi i dy turistëve zviceranë, të bllokuar në Malin e Korabit, njëri prej te cilëve kishte dëmtuar gjymtyrët e poshtme për shkak të një orteku dëbore. Mirënjohje forcave të Policisë së Shtetit, të Policisë së Kosovës, Federatës së Alpinizmit të Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe KFOR, pa angazhimin e të cilëve nuk do të ishte bërë i mundur ky operacion i vështirë shpëtimi”, ka thënë ai.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit  u angazhuan gjithashtu forca të policisë së rendit, të policisë kufitare, banorë të zonës së njësisë administrative Kala e Dodës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore