Lajme

Baerbock: Shpresoj që herën tjetër të pijmë kafe në jug, e të hajmë darkë në veri


Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, dhe kryetari i Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviç.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, gjatë ditës së dytë të qëndrimit të saj në Kosovë është shprehur optimiste në rregullimin e marrëdhënieve në mes të dyja anëve të Mitrovicës.

Baerbock, gjatë takimit me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza dhe kryetarin e Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviç u shpreh se pret ndryshime në vizitën tjetër të radhës në Kosovë.

“Shpresoj që herën tjetër të pijmë kafe në jug e të hajmë darkë në veri”, u shpreh kryediplomatja gjermane në takimin me kryetarët.

Edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, bëri të ditur se është i gatshëm për të qëndruar në shërbim të gjithë qytetarëve të qytetit, pa dallim.

Po ashtu, kryetari i Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviç, tha se është i hapur për bashkëpunim.

Më 10 mars, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock ka thënë se, “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave”.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Por, tani sipas saj, “punën duhet ta kryejë edhe Bashkimi Evropian”.

“Ne kemi folur edhe për rrugën e reformave të forta të cilën e ka nisur qeveria juaj. Luftimi i korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit, ju në këtë rrugë e keni mbështetjen tonë të plotë. Kjo tregon shumë mund dhe nuk bëhet brenda ditës”, tha Baerbock.

Kur ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ajo ka potencuar se të dy palët duhet të gjejnë një zgjidhje të pranueshme, duke shtuar se “kërkohet guxim për vendime të vështira”.

“Na duhen përparime në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk mund ta imagjinojë që këto vuajtje të luftës që ka përjetuar secila familje dhe dhunime gjatë luftës do të përcillen me gjenerata.

Kryediplomatja gjermane, ka kërkuar nga Kurti që serbëve t’u mundësohet që të votojnë më 3 prill në Kosovë për zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Ajo ka potencuar se BE-ja është duke ua zgjatur dorën vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Evropës Perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore