Lajme

Baerbock: Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizmin të vizave, tash ta kryejë punën BE-ja


“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave”, ka thënë ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Por, tani sipas saj, “punën duhet ta kryejë edhe Bashkimi Evropian”.

“Ne kemi folur edhe për rrugën e reformave të forta të cilën e ka nisur qeveria juaj. Luftimi i korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit, ju në këtë rrugë e keni mbështetjen tonë të plotë. Kjo tregon shumë mund dhe nuk bëhet brenda ditës”, tha Baerbock.

Kur ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ajo ka potencuar se të dy palët duhet të gjejnë një zgjidhje të pranueshme, duke shtuar se “kërkohet guxim për vendime të vështira”.

“Na duhen përparime në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk mund ta imagjinojë që këto vuajtje të luftës që ka përjetuar secila familje dhe dhunime gjatë luftës do të përcillen me gjenerata.

Kryediplomatja gjermane, ka kërkuar nga Kurti që serbëve t’u mundësohet që të votojnë më 3 prill në Kosovë për zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Ajo ka potencuar se BE-ja është duke ua zgjatur dorën vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Evropës Perëndimore.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është partnere e qëndrueshme e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian.

“E sigurova ministren Baerbock se Kosova është partnere e qëndrueshme dhe se këtë e kemi dëshmuar me pritjen e refugjatëve afganë, me krizën në Ukrainë dhe me sanksionet ndaj Rusisë”, tha Kurti.

Ai tha se kryediplomaten gjermane e ka njoftuar për punët që ka bërë Qeveria dhe ato që do të bëjë dhe ka kërkuar përkrahjen e këtij shteti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore