Lajme

Pahor: Po përgatisë draft-planin tim për dialogun Kosovë – Serbi


Borut Pahor

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, emri i të cilit u lakua si zëvendësues i të deleguarit aktual për dialogun, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se është duke përgatit një draft-skicë se si ai mendon se duhet të vazhdojë dialogu, meqë në vlerësimin e tij ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur aktualisht.

Pahor nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, nuk ka dhënë detaje mbi planin e tij me arsyetimi se “po dëshiron që fillimisht ta koordinojë atë me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell dhe vendet anëtare të BE-së, veçanërisht vendet e QUINT-it”.

Gazeta sllovene, Delo, javë më parë raportoi se Pahor, mund të emërohet si i deleguari i ardhshëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, duke zëvendësuar kështu në këtë pozitë, diplomatin sllovak, Miroslav Lajçak.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në prill të këtij viti emëroi diplomatin sllovak, Mirosllav Lajçak si ambasador i BE-së në Zvicër në kuadër të rotacionit të madh vjeshtor.

Lajçak për 4 vjet mban pozitën e të deleguarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi.

Ndërsa mandati i tij pritet të përfundojë në fund të gushtit të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore