Lajme

Kurti: Kosova partnere e Gjermanisë, e kemi dëshmuar me pritjen e refugjatëve afganë dhe me sanksionet ndaj Rusisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është partnere e qëndrueshme e Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian.

“E sigurova ministren Baerbock se Kosova është partnere e qëndrueshme dhe se këtë e kemi dëshmuar me pritjen e refugjatëve afganë, me krizën në Ukrainë dhe me sanksionet ndaj Rusisë”, tha Kurti në një konferencë për media pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Ai tha se kryediplomaten gjermane e ka njoftuar për punët që ka bërë Qeveria dhe ato që do të bëjë dhe ka kërkuar përkrahjen e këtij shteti.

“Bashkëpunimi ynë dypalësh është duke u intensifikuar, eksporti në Gjermani është rritur, por edhe investimet direkte gjermane në Kosovë”.

“Kam kërkuar mbështetje për reformat tona, në punësim dhe drejtësi. Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së, në infrastrukturë, energji e të tjera. Gjermania mund të ndihmojë më shumë në këtë drejtim”, ka shtuar Kurti.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryediplomaten gjermane.

“Kosova e konsideron Gjermaninë si një forcë lëvizëse për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe rajonit. Marrëdhëniet me këtë shtet i bëjnë edhe më të forta një numër i madh i mërgimtarëve kosovarë, të cilët jetojnë dhe janë të integruar mirë në Gjermani”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani ka shtuar se “presim të punojmë bashkërisht për një të ardhme më të mirë të Kosovës dhe rajonit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore