Lajme

Baba Yaga, krijesa mitike për Halloween


Halloween-i është shumë pranë dhe agjencia e lajmeve “Euronews” ka risjellë në vëmendje figurat mitike, të cilat do t’i shoqërojnë njerëzit gjatë gjithë nëntorit.

Fillimisht artikulli ka përshkruar një krijesë mitike sllave, Baba Yaga-n.

Në folklorin e Evropës Lindore, ajo është një shtrigë e pangopur dhe e deformuar, e cila rrëmben viktimat e saj para se t’i gatuajë dhe t’i hajë ato.

Zakonisht viktimat e saj janë fëmijët për shkak se mishi i tyre është më i butë.

Nëse kjo nuk do të ishte mjaftueshme, ajo ndonjëherë i bashkohet vdekjes në udhëtimet e saj, duke e ndihmuar atë të gllabërojë shpirtrat e sapo liruar.

E thënë thjesht, ajo është frymëzimi i frikshëm për të gjithë krerët e pyllit, shtrigat e liga apo kumbarat e liga, që hasen në tregimet dhe filmat për fëmijë.

Baba Yaga në të vërtetë i referohet një gjysheje të keqe.

“Baba” është një fjalë sllave për “plakë”, “gjyshe” ose “shtrigë”.

Sa i përket pjesës “Yaga”, është një përbërje fjalësh që do të thotë “gjarpër” ose “e ligë”.

Me një hundë në madhësinë e Pinokut, e cila shkon deri në tavan, dhëmbë të pathyeshëm, dhe kocka të holla që duken pavarësisht dietës së saj.

Këto janë fjalë që përshkruajnë zakonisht Baba Yaga-n.

Ajo fluturon me një kazan hekuri.

Valonia Feline on DeviantArt

Dhe nëse ende nuk jeni të sigurt se e keni identifikuar saktë, shtëpia e saj është mjaft unike, një kasolle e vendosur në majë të një palë këmbësh pule gjigante, në lëvizje dhe që kërcejnë.

Kjo do të thotë se shtëpia e kanibales mund të ndjekë njerëzit dhe se askush nuk mund të futet brenda  nëse nuk di frazën magjike: Ktheje shpinën nga pylli ndërsa pjesën përpara, meje.

Gardhi i saj është gjithashtu i mbuluar me kafka njerëzore, një nderim për viktimat e saj si dhe një paralajmërim mjaft i qartë se me të nuk duhet të ngatërrohesh.

Ka shumë tregime të tmerrshme të Baba Yaga-s, por historia më e njohur është ajo e bukuroshes Vasilia, versioni evropian lindor i Hirushes.

Pas vdekjes së nënës së saj, babai i Vasilia-s rimartohet me një grua me dy vajza.

Njerka dhe vajzat e saj e keqtrajtojnë atë.

Kur babai i saj niset për një udhëtim të gjatë, njerka e Vasilia-së shfrytëzon rastin për ta hequr qafe.

Asaj iu dha për detyrë të kërkojë Baba Yaga-n për të sjellë më shumë dritë në shtëpi, pasi ata jetojnë me dritën e qirinjve.

Vasilia gjen plakën, e cila më pas i jep asaj një sërë punësh pothuajse të pamundura.

Punë të cilat ajo duhet t’i kryejë përndryshe Baba Yaga do ta hajë.

Pasi arrin të kryejë detyrat, Baba Yaga e mban premtimin dhe e liron Vasilia-n, e cila kthehet në shtëpi me një kafkë që shkëlqen dritë nga sytë.

Ky shkëlqim djeg familjen e saj të re.

Baba Yaga në këtë rast është një pengesë po ashtu edhe një shpëtimtare, një version i shtrembëruar i kumbarës së zanave, e cila është një antagoniste pa qëllim të qartë.

Ajo është gjithashtu një figurë enigmatike, pasi disa personazhe e kërkojnë mençurinë e saj.

Për të marrë këshillën e saj, duhet t’i afrohesh me kujdes dhe me respekt.

Gjithashtu këshillohet që të mos i bëni asaj shumë pyetje.

Së fundi, Baba Yaga është bërë një ikonë feministë.

Imazhi i një plake të fuqishme që bën gjithçka që i pëlqen është bërë aspiruese për shumë njerëz, ajo madje kishte një rubrikë këshillash, “Pyet Baba Yaga” në faqen e internetit “The Hairpin”-i, e cila u themelua në vitin 2010 dhe pushoi së publikuari në vitin 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore