Muzikë

Aurela Gaçe në retrospektivë, ri-publikon performancat e saj ikonike të viteve të 90-ta


Këngëtarja e njohur, Aurela Gaçe është goxha e përkushtuar në jetën e mediave sociale, duke ndarë kështu me ndjekësit postime nga më të ndryshmet.

Por, së fundmi, ylli i dhjetëra hiteve duket të jetë kapluar nga ndjenjat e nostalgjisë mbi fillimet e saja në karrierën muzikore – rrugëtim që nisi, dekada më parë.

Kësisoj, ajo ka ndarë me afro 600 mijë ndjekësit e saj në Instagram, disa prej paraqitjeve të saj në skenat e ndryshme të festivaleve shqiptare, që datonin para vitit 2000.

“30 vjet më parë, ndonjëherë më duket sikur nuk jam rritur akoma, pasi lëviz e kërcej po njësoj, me të njëjtën dëshirë e pasion”, shkroi ajo karshi një videoje të vitit 1993, njëherësh paraqitja e saj e parë në skenën e Festivalit të Madh, ku pati interpretuar këngën “Pegaso”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Aurela Gace (@aurelagaceofficial)

Por, ky ishte veç një prej postimeve, Gaçe publikoi edhe video të tjera nga paraqitjet e saj përfshirë, “Nata” dhe “Nuk mjafton” të vitit 1995, “Me jetën dashuruar” të vitit 1996 e “Pranverë e vonuar” dhe “Fati ynë, shpresë e marrëzi” të vitit 1997.

Aurela, postimet i përmbylli me publikimin e një videoje të performancës së vitit 1998, po ashtu në skenën e Festivalit të Madh, ku kishte kënduar këngën “E pafajshme jam”, me të cilën, kishte arritur të zë vendin e 3-të.

Edhe 30 vjet më pas, Aurela po vazhdon të mbetet aktive me projekte të reja muzikore, derisa vetëm para pak ditësh, ajo ka publikuar këngën e re të titulluar “Se ti je”.

Producent i këngës “Se ti je” është kantautori Kledi Bahiti, teksa për pjesën e tekstit, është përkujdesur vetë Gaçe.

Të njëjtën e ka sjellë edhe me video klip, të kuruar dhe përshtatur tematikës së këngës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore