Sport

Atifete Jahjaga e përgëzon Uta Ibrahimin në arritjet e deritanishme në alpinizëm


Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka përgëzuar alpinisten, Uta Ibrahimi në ecurinë drejt përmbushjes së ëndrrave të saj në arenën sportive.

Me anë të një postimi në llogarinë e saj të Facebook, Jahjaga e ka quajtur alpinisten “Uta e Maleve”, derisa ka zbuluar tri majat që Ibrahimi ka shkelur së fundmi.

“Uta jonë, Uta e Maleve më afër se kurrë përmbushjes së ëndrrës së saj”, ka shkruar Jahjaga.

“Në më pak se një muaj ajo arriti të shkel në tri maja të tjera Nanga Parbat 8125 m/lmd, Broad Peak 8051 m/lmd  dhe Majën K2 e cila është 8611 m/lmd”, ka shtuar ajo.

Jahjaga ka bërë të ditur se Ibrahimi i është afruar shkeljes së 14 majave më të larta në botë në mbi 8 mijë metra lartësi mbidetare.

“Uta Ibrahimi po bënë histori në sportin e alpinizmit në Kosovë, e cila po i afrohet shkeljes së 14 majave më të larta në botë në mbi 8000 lartësi mbidetare”, ka shkruar ajo.

“Nuk ka krenari më të madhe! Uroj që sfidat të cilat ke kaluar në këtë ekspeditë të të forcojnë edhe më shumë për tjerat që të presin”, ka shtuar ajo.

Përndryshe, ani pse ka kohë që kur më nuk është pjesë e politikës, ish-presidentja kosovare është e zëshme në reagimet e saj karshi ngjarjeve aktuale në vend.

Së fundmi, Jahjaga ka reaguar edhe pas dënimit të Dardan Krivaqës me burgim të përjetshëm në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Mirëprita vendimin e organeve të drejtësisë për dënimin adekuat të vrasësit të së ndjerës Marigona Osmani. Duartrokas këto organe për vendosjen e një precedenti të tillë, ku femicidi dhe dhuna me baza gjinore të trajtohen si vepra të dënueshme dhe burgosje të kryesve të veprave”, ka shkruar ajo.

“E tillë duhet të jetë toleranca ndaj këtyre krimeve të tmerrshme! Vetëm me dënime të tilla mund ta eliminojmë këtë dukuri negative që ka kapluar shoqërinë tonë. Vajzave e grave si Marigona nuk mund t’ua kthejmë jetën, por mund të sigurohemi që dhunuesit të dënohen e që të tjera gra e vajza të mos sakrifikohen më. Femicidi duhet të marrë fund”, ka përfunduar Jahjaga.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore