Muzikë

Anulohet Festa e Birrës “Beerfest Kosova”


"Beerfest Kosova"

Ani pse një ndër vite ka dëshmuar një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve të Kosovës, Festivali “Beerfest Kosova”, nuk do të mbahet për këtë vit.

Edicioni i 10-të i “Beerfest Kosova”, i planifikuar të realizohej në datat 13,14 dhe 15 gusht, është anuluar dhe këtë e kanë konfirmuar vetë organizatorët e këtij evenimenti.

Sipas një komunikate nga organizatorët, shkak për këtë anulim, rezulton të jetë një vendim i Policisë së Kosovës që thotë se ky festival mund të paraqet rrezik për qytetarët.

“’Festivali ‘Beerfest Kosova’ është anuluar. Kjo vjen pas një vendimi të Policisë së Kosovës, që thotë se mbajtja e këtij festivali paraqet rrezik për qytetarët. Ne si organizatorë nuk jemi dakord me këtë vendim dhe mendojmë që, Beerfest. Kosova në esencë nuk dallon nga aktivitetet dhe festivalet që po mbahen këto ditë në vendin tonë”.

“Përveç kësaj, ne i kemi marrë të gjitha masat e parapara dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura që ky eveniment të mbahet në përputhje edhe me direktivat nga Ministria e Shëndetësisë dhe pëlqimet nga institicionet tjera sa i përket mbajtjes së aktiviteteve publike”, thuhet në deklaratën për media.

Gjithsesi, organizatorët e festivalit kanë treguar respekt edhe për numrin në rritje të rasteve me COVID-19, çka qoi në pezullim total të “Beerfest Kosovës”.

“Sido që të jetë, duke e parë edhe rritjen e madhe dhe drastike në ditët e fundit të rasteve me Covid-19, nuk kemi zgjedhje tjetër veçse të respektojmë këtë vendim dhe ta pezullojmë mbajtjen e Beerfest”, thonë tutje ata.

Deklaratën e kanë përmbyllur duke shpresuar për një organizim të “Beerfest Kosova”, në suaza normale në të ardhmen e afërt.

“Shpresojmë që në të ardhmen e afërt do të kemi ndryshime të rrethanave  dhe do të krijohen kushtet për mbajtjen e këtij evenimenti”, përfundojnë ata.

Ndryshe, në këtë edicion ishte paraparë që të performojnë disa artistë me nam si; Kida, Nushi, Lumi B, Mentor Haziri, Valon Shehu, Nita Latifi e disa të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore