Shqipëria

Ambasadori rus përmend Haradinajn, Hoxha: Mos e zër në gojë, u shpall dy herë i pafajshëm


Debati në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka precipituar mes presidentit Ferit Hoxha dhe ambasadorit rus Vasily Nebenzya.

Hoxha po sillte në vëmendje luftërat në ish-Jugosllavi si shembull i nevojës për institucione që ndëshkojnë kriminelët e luftës.

Ka qenë pikërisht përfaqësuesi rus, i cili i ka përmendur diplomatit shqiptar – figurën e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Ambasadori Hoxha i shprehu Nebenzya-s, se “nuk duhet zinte në gojë ish-kryeministrin e Kosovës”.

Kjo, sepse ai u gjykua dy herë tashmë dhe në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm.

“Ai nuk u fsheh, nuk u arratis, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe iu dorëzua vetë drejtësisë, u përball me faktet, fitoi dhe tani është i lirë. A do ta bëjnë të njëjtën gjë, ushtarët dhe politikanët rusë të akuzuar për krimin e agresionit dhe krime të tjera serioze?”, theksoi presidenti i KS-së.

Hoxha bëri thirrje sakaq që puna e drejtësisë të vazhdojë dhe të mos ketë afate skadimi.

Në përmbyllje, diplomati shqiptar ravijëzoi se veprimi i drejtësisë ndaj krimeve të luftës nuk do të ketë sukses.

Kjo, nëse vazhdohet me glorifikimin (mbulim me lavdi – AP) e kriminelëve.

“Në të njëjtën kohë kur udhëheqës politikë përpiqen të manipulojnë historinë dhe të pretendojnë se krimet madhore në vende si Vukovar, Srebrenicë, Reçak nuk kanë ndodhur”, deklaroi Hoxha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore