Kosova

Ambasadori i Ukrainës në Serbi: Përshkallëzimi i situatës së sigurisë në Kosovë është në interes të Rusisë


Përshkallëzimi i situatës së sigurisë në Kosovë dhe në rajon është para së gjithash në interes të shtetit agresor të Federatës Ruse, ka vlerësuar ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach.

“Për momentin, përshkallëzimi i situatës së sigurisë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit është kryesisht në interes të shtetit agresor të Federatës Ruse, e cila së paku do të largonte vëmendjen e Evropës nga krimet ruse të luftës në Ukrainë”, tha ai për N1.

Sipas diplomatit ukrainas, nuk është rastësi që situata në veri të Kosovës filloi të përshkallëzohet vitin e kaluar pikërisht pas dështimit të Rusisë kundër Ukrainës.

Ambasadori theksoi se Ukraina nuk po mbron vetëm veten, por edhe vlerat dhe të ardhmen e përbashkët evropiane.

“Prandaj, ne presim që vendi kandidat për anëtarësim në BE, Serbia, të forcojë mbështetjen e saj për luftën e popullit ukrainas. Jam i bindur se forcimi i një mbështetjeje të tillë dhe çlirimi sa më i shpejtë i të gjithë Ukrainës nga pushtuesit racist do të korrespondojë me interesat e të gjithë serbëve”, tha ai.

Tolkach shtoi se ambasada “nuk ka informacion për planet e udhëheqjes ushtarake të Ukrainës në lidhje me afatet dhe drejtimet për çlirimin e Ukrainës nga pushtuesit.

“Ajo që dimë me siguri është se populli ukrainas do të luftojë për çlirimin e çdo centimetri të vendit tonë”.

Që nga 26 maji tensionet në Veri të Kosovës u rritën si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore