Lajme

Ambasadori i Kosovës në Gjermani përgënjeshtron propagandën serbe – “Kosova është shtet multietnik”


Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti

Ambsadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, në një intervistë dhënë për revistën gjermane “Die Tagespost” ka përgënjeshtruar propagandën e Beogradit e cila përmes Kishës Ortodokse Serbe kohëve të fundit ka dhënë për mediet gjermane.

Ajeti duke iu referuar të dhënave të sakta dhe të mirëdokumentuara botërisht nga organizata ndërkombëtare, iu kundërpërgjigj propagandimeve serbe, në një sërë temash dhe ngjarjesh që nga lufta e fundit në Kosovë.

“Dihet tashmë botërisht se viktima e parë e një lufte është e vërteta, por jo faktet. Sipas informacioneve të UNHCR-së, gjatë luftës së Kosovës deri në fillim të qershorit 1999, më shumë se 800.000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan dhunshëm nga regjimi serb”, tha fillimisht Ajeti.

“Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë Luftës së Kosovës 1998-99, janë vrarë 13.518 persona (në mesin e tyre 10.794 shqiptarë, 2.197 serbë, ndërsa pjesa tjetër ishin grupe të tjera etnike që jetonin në Kosovë). 1,133 fëmijë gjetën vdekjen dhe më shumë se 20,000 femra shqiptare u përdhunuan. 1,647 njerëz janë ende të zhdukur (shumica e tyre janë në varreza masive në Serbi) dhe mbi 200,000 objekte shtetërore dhe private dhe 650 fshatra janë shkatërruar nga policia dhe njësitë ushtarake serbe”.

Parë në këtë kontekst, tregon ambasadori kosovar, Qeveria e Serbisë për shkak të mungesës së vullnetit, ka bërë shumë pak për t’i kthyer trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë gjatë luftës.

“Në Serbi janë zbuluar disa varreza masive, ku ka edhe shumë trupa të tjerë; pastaj, ku trupat e shqiptarëve të Kosovës janë hedhur në Danub nga ushtria serbe ose janë djegur në (Kombinatin Industrial) të Trepçës për të fshehur provat”.

Në lidhje me propagandën serbe dhe ruse për transplantime të organeve gjatë luftës, Ajeti mohon se diçka e tillë ka ngjarë ndonjëherë.

“Qëllimi i UÇK-së ishte çlirimi i vendit nga regjimi i Serbisë. Një gjykatë speciale është ngritur tashmë në Hagë për të hetuar akuza të tilla. Megjithatë, deri më tani nuk është publikuar asnjë dëshmi e vetme se një luftëtar i UÇK-së është përfshirë në trafikimin e organeve, këtë e ka thënë edhe ish-prokurori i Gjykatës Speciale, amerikani Clint Williamson”, thotë ai.

Ajetu u pyet edhe për trazirat e marsit të vitit 2004 foli për brishtësinë e situatës atëbotë, përçka tha se “Në vitin 2004 ishin shqiptarët e Kosovës, madje edhe ish-luftëtarët e UÇK-së që mbrojtën objektet fetare, sikurse me Manastirin e Deçanit nga turma e zemëruar. Djegia e institucioneve fetare nuk ka qenë kurrë pjesë e traditës dhe kulturës shqiptare. Kjo dihet botërisht”.

Ajeti iu kundërpërgjigj edhe asaj që nga Beogradi propagandohet si “Shqipëri e Madhe”, përçka tha se bashkimi i shqiptarëve do të ndodh vetëm brenda unionit evropian.

“Askush nuk duhet frikësuar nga një republikë multietnike dhe e pavarur e Kosovës, por nga “bota serbe” e proklamuar tashmë nga presidenti serb Vuçiq”.

“Kosova është shtet multietnik. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron garancitë më të larta të standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe minoritetet. Të gjitha minoritetet i kanë të drejtat e tyre të garantuara në kushtetutën tonë. 92 për qind e banorëve janë shqiptarë, pesë për qind serbë, pjesa tjetër përbëhet nga minoritetet tjera”.

“Të gjitha pakicat janë të përfaqësuara në parlament dhe qeveri. Gjuha shqipe dhe serbe janë gjuhë zyrtare. Çdo ligj apo rregullore duhet të botohet në të dyja gjuhët. Të gjithë lejohen të përdorin gjuhën e tyre, duke përfshirë edhe pakicat. Me fjalë të tjera, para pak kohësh, Kosova festoi 14 vjetorin e ekzistencës së saj si shtet i pavarur dhe ajo është bërë një shembull i ndritshëm i demokracisë në Ballkan”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore