Shqipëria

Alibeaj nuk humb kohë, dorëzon në KAS ankimin kundër vendimit të Celibashit


Nuk ka humbur asnjë minutë grupimi i Enkelejd Alibeajt brenda Partisë Demokratike, për të ankimuar në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve, kërkesën për zhbërjen e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili e përcaktoi si të paplotë dokumentacionin e dorëzuar nga përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Indrit Sefa.

Ka qenë pikërisht ky i fundit, ai i cili ka dorëzuar edhe ankimin ligjor në KAS, kundër vendimit të Celibashit.

Ajo çfarë konkretisht kërkohet nga PD-ja juridike, është shfuqizimi i vendimit të komisionerit për mosregjistrimin e forcës së djathtë politike, në zgjedhjet për organet e qeverisë vendore të 14 majit 2023.

Nga ana tjetër, kërkohet regjistrimi i PD-së në zgjedhje, me logon dhe simbolet e kësaj partie.

Mirëpo, sipas Celibashit, aspekti ligjor nuk është nga ana e demokratëve, pasi si kryetar partie figuron ende Lulzim Basha, pavarësisht faktit se ky i fundit është dorëhequr prej një viti nga drejtimi.

Megjithatë, sërish, nga ana e strukturave demokrate, nuk është dërguar në Gjykatën e Tiranës asnjë kërkesë për ndryshime në regjistrin themeltar të partive politike.

Ndaj, me Bashën legjitim ende si kryetar, firma e tij bëhet çelësi për hyrjen e PD-së në zgjedhje.

Por, kjo e fundit, as që është marrë parasysh të bëhet prej demokratëve dhe për këtë arsye, komisioneri i pati bërë edhe një thirrje të dërgohej në Gjykatë ndryshimi i dokumentacionit, në mënyrë që vetë në regjistrin themeltar, të paraqiteshin strukturat drejtuese të palës pretenduese (Alibeajt), si drejtues të forcës politike.

Në çastin kur kjo gjë nuk ka ndodhur, atëherë vetë Celibashi e ka bërë të qartë se regjistrim nuk mund të ketë dhe ka vendosur të lërë jashtë zgjedhjeve si PD-në e Sali Berishës, i cili nuk gëzon legjitimitet të partisë, ashtu edhe atë të Alibeajt, i cili ka dokumentacion të cunguar.

Bardhi dhe Alibeaj e quajnë të kapur Celibashin, pas vendimit për t’i lënë jashtë zgjedhjeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore