Kosova

Aksidenti në Kroaci – Nga kujdesi intensiv një kosovar dërgohet për trajtim në Gjermani


Aksidenti në Slavonski Brod të Kroacisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se është liruar nga spitali shtetasi i Kosovës që ishte në kujdes intensiv në Kroaci, i cili kishte marrë lëndime të rënda gjatë aksidentit të autobusit ku humbën jetën dhjetë kosovarë.

Sveçla ka thënë se gjendja e tij është stabile, ndërkaq ai është dërguar në Gjermani për trajtim të mëtutjeshëm.

“Gjendja e tij është stabile dhe falë angazhimit të mjekëve dhe të gjitha autoriteteve kroate si dhe zyrtarëve tanë nga Ambasada jonë në Kroaci, ai sot është nisur për trajtim të mëtutjeshëm në Gjermani deri në përmirësim të plotë të shëndetit të tij”.

Po ashtu theksoi se, “I kam dërguar letër falenderimi Ministrit të Punëve të Brendshme të Kroacisë, Drejtorit të Policisë, Drejtorit të Policisë Lokale dhe Kryebashkiakut të Slavonski Brod, për angazhimin e madh në aksidentin që u mori jetën 10 qytetarëve tanë. Kam pranuar përgjigje të menjëhershme me shqetësimin mbi ngjarjen por edhe obligimin që kanë ndjerë për kujdesin ndaj të gjithë qytetarëve të aksidentuar”.

Sveçla, bëri të ditur se të dyja palët kanë shprehur gatishmëri edhe për bashkëpunim.

“Kemi shprehur të dyja palët gadishmërinë për bashkëpunim, me shpresë që do të takohemi në rrethana të tjera të konkretizojmë punët e ti finalizojmë suksesshëm ato”.

Më 25 korrik, në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë.

Njëri shofer ka vdekur, ndërsa tjetri, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit, besohet se ka shkaktuar aksidentin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore