Kosova

25 vjet burgim për dy të akuzuarit për vrasjen e 2014-së në “Bon Vivant”


Foto nga arkivi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 18 vjet burgim Masar Gërdovcin – i akuzuar për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”, që kishte ndodhur në vitin 2014 ndërsa për armëmbajtje pa leje ai është dënuar me 1 mijë e 500 euro.

Ndërkaq, i akuzuari tjetër Sherif Krasniqi, është dënuar me 7 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje.

Krasniqi, akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje, por që prokurori i shtetit kishte hequr dorë nga ndjekja penale, derisa gjykata e ka refuzuar akuzën.

Aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 korrik 2015.

Ata akuzoheshin se në bashkëkryerje, kishin privuar nga jeta të ndjerin Rrahman Uka, duke kryer kështu veprën penale “Vrasje të rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kishin shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar, ku të njëjtit ishin përgjigjur “ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim” dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Uka, të merret me të pandehurit që t’i largojë nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali, pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.

Sipas aktakuzës, sapo Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngriten nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta, fillimisht Masar Gërdovci e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’iu shmangur goditjeve.

Një vrasje tjetër po ashtu kishte ndodhur në të njëjtin lokal në muajin gusht të 2023-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore