Kosova

Kryediplomati italian: Kosova t’i respektojë zotimet e bëra me Evropën


Antonio Tajani

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ka thënë se Kosova duhet që të respektojë angazhimet e marra me Evropën në kuadër të dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, “veçanërisht për minoritetin serb në Veriun e Kosovës”.

Këto komente, zëvendëskryeministri i Italisë i ka bërë në një konferencë për media me Kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviç, të premten në Trieste.

“Për çështjen e Kosovës, Prishtina duhet të respektojë zotimet që ka bërë me Evropën, veçanërisht në lidhje me komunitetet që jetojnë në Veri të Kosovës dhe ai është komuniteti serb”, tha Tajani, transmeton agjencia italiane e lajmeve “Adnkronos”.

Kryediplomati italian ka theksuar se ushtarët e shtetit të tij që shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR, do vazhdojnë që të kryejnë stabilitet.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të sigurojë stabilitet dhe paqe në zonë, duke mbrojtur gjithashtu manastiret serbe, sepse ato janë manastire të krishtera që në asnjë rrethanë nuk mund të sulmohen apo përdhosen”, deklaroi Tajani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore