Lajme

Abramovich i dha një letër nga Zelensky Putinit, ai ia hodhi në plehra


Roman Abramovich është kthyer në personazhin kryesor të ditës, pas publikimit të lajmit se ai dhe dy negociatorë ukrainas, gjatë periudhës 3-4 mars, kur kanë zhvilluar bisedime, janë helmuar me një agjend kimik ose biologjik.

Detaje të tjera ndërkaq janë publikuar, ku ai më interesanti, është dorëzimi i një letre nga Volodymyr Zelensky për presidentin rus, Vladimir Putin, ku mendohet se ishin shkruar edhe kushtet e Ukrainës për të gjetur paqen pas luftës.

Këtë letër të shkruar me dorë nga vetë Zelensky, Putini mësohet se e ka hedhur në koshin e plehrave dhe i ka kthyer një mesazh të qartë homologut të tij në Kiev, me anë të Abramovichit: I thuaj që do t’i kthej në plehra.

Vetë Abramovich, ka zhvilluar një numër të lartë udhëtimesh nga Moska, në Stamboll e më pas drejt Kievit.

Roli i tij, ka qenë ai i mesazherit mes dy liderëve të shteteve në luftë.

Mirëpo, mesazhet e Zelenskyt, despotin rus e kanë kthyer në një furi të vërtetë karshi “paqeruajtësit” Abramovich.

Vetë miliarderi ka marrë sanksione të shumta prej vendeve perëndimore për shkak të afërsisë me Putini. Mirëpo, në krahasim me oligarkë të tjerë rusë, ai është kursyer – madje tepër – pikërisht për këtë rol negociator që ka marrë.

Bisedat më të shumta, Abramovich i ka pasur me Rustem Umerov, i cili po vepron si negociatori kryesor për Kievin. Por, një takim direkt, e ka pasur edhe me vetë Volodymyr Zelenskyn.

Se sa rol vetë Moska mund të ketë pasur mbi helmimin e paqartë të Abramovich dhe dy negociatorëve ukrainas, kjo ende nuk dihet. Por, e sigurt është që, kushdo që ka vepruar, ka dashur të lëshojë një mesazh të fortë ndaj tij dhe Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore