Lajme

AAK, PDK e LDK, kundër vendimit për shkarkimin e Valdete Dakës


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me shkarkimin e ish kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Përmes një postimi në Facebook, AAK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të ndalojë përpjekjet për kapjen e shtetit dhe arrogancën e numrave.

“AAK konsideron se shkarkimi i Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, nga Presidentja Osmani, është praktikë e paparë institucionale dhe dëshmon për të satën herë kapjen e shtetit”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas AAK-së, sulmi në institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve, është tregues i tentimit për vendosjen e autokracisë, “fenomen për të cilin Aleanca ka tërhequr vërejtjen shumë kohë më parë”.

Në njoftimin e tyre theksohet se arsyetimet e dhëna për shkarkimin e Dakës, “janë të pasakta”.

“Sepse para shkarkimit i është kërkuar dorëheqja në këmbim të mirënjohjes. Ky është tregues i qartë i mënyrës së qeverisjes qe po tentohet të instalohet në vendin tonë”, vijon njoftimi.

“Kosova është Republikë Parlamentare me demokraci të konsoliduar dhe si e tillë funksionon dhe është pranuar nga shumë shtete. Këto praktika jodemokratike duhet të marrin fund”.

Kundër vendimit për shkarkimin e Valdete Dakës ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Deputetja e kësaj partie, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se shkarkimi i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, është veprim politik i presidentes Vjosa Osmani nën urdhrat e kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot zbatoi urdhrin politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për ta kapur edhe një institucion të pavarur kushtetues të Kosovës siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky është sulm direkt mbi KQZ-në dhe kapje e këtij institucioni”, tha Deliu-Kodra.

Veprimi i sotëm i presidentes Vjosa Osmani, sipas deputetes Deliu-Kodra, po e vë në pikëpyetje kredibilitetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tash e sa vite është vlerësuar nga të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë për organizimin e zgjedhjeve kredibile, më të mira në rajon. Sot presidentja Vjosa Osmani përmes urdhrave politik të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, e goditi pavarësinë e KQZ-së dhe po vënë në pikëpyetje kredibilitetin e këtij institucioni në prag të zgjedhjeve lokale”, tha ajo.

Gjithashtu, PDK ka ftuar të gjitha Ambasadat e Vendeve të QUINT-it që të reagojnë urgjentisht karshi këti vendimi.

Mes tjerash, Deliu Kodra tha se nga sot, Vjosa Osmani do të jetë përgjegjëse direkte e mbarëvajtjes së zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

“Para se të vijnë deri tek shkarkimi politik i zonjës Daka, Lëvizja Vetëvendosje u kujdes që së pari ta indimidojë atë duke filluar nga sulmet e ulëta në mbledhjet e KQZ-së nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes aty, e nga jashtë duke e linçuar përmes aktivistëve të dhunshëm nëpër rrjete sociale. Kjo flet më së miri për dhunën politike që ka nisur ta ushtrojë qeveria e Albin Kurtit nëpërmjet presidentes Vjosa Osmani për goditjen e institucioneve të pavarura dhe për kapjen e tyre nga mbesat dhe nipërit e pushtetit të Vetëvendosjes”, tha Deliu-Kodra.

Pa reaguar nuk ka mbetur as Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka kundërshtuar shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e Kryetares së KQZ-së.

LDK është shprehur se vendimin e ka pritur me shqetësim të madh, teksa ka vlerësuar lartë punën e Valdete Dakës në postin e Kryetares së KQZ-së.

“LDK me shqetësim të madh e ka pritur vendimin e sotëm të Presidentes së Kosovës për ndërprerjen arbitrare të mandatit të Kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Valdete Daka, e cila, sipas vlerësimeve të përgjithshme, këtë detyrë e ka ushtruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Sipas LDK-së, vendimi për shkarkimin e Dakës është i pabazuar dhe nuk përmban argumente të qëndrueshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës, vendimin për ndërprerje të mandatit të kryesueses së KQZ-së, në prag të zgjedhjeve lokale, e konsideron si të pabazuar dhe me argumente të paqëndrueshme. Puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Prandaj, vendimin e sotëm e shohim si goditje të rëndë ndaj një institucioni të pavarur kushtetues me performancë të mirë”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

Ndryshe, Presidentja, Vjosa Osmani e ka shkarkuar nga detyra e Kryesueses së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Dakën.

Vendimin për shkarkimin e Dakës, e ka bërë publik Zyra për Medie e Presidencës në të cilin thuhet se “ Znj. Valdete Daka i ndërpritet mandati si Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës”.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga të gjitha institucionet relevante dhe duhet menaxhuar nga brenda nga Kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore