Lajme

Kastrati: Komuniteti serb ta kuptojë se regjistrimi s’kthehet prapa – do t’u mungojnë shumë shërbime


Ushtruesi i detyrës së drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati.

Pas paralajmërimit të Listës Serbe se komuniteti në komunat veriore s’do të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, ushtruesi i detyrës së drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, u ka bërë thirrje atyre që të marrin pjesë në këtë proces sepse në të kundërtën do të përballen me shumë sfida në të ardhmen.

Kastrati, kërkesën e ka bërë në një konferencë për media të hënën duke përmendur pasojat.

“Nëse nuk je i regjistruar pritjet janë që në të ardhmen shumë shërbime të mos i kenë, sepse nëse nuk merr pjesë në regjistrim duket sikurse nuk ekziston”.

“Kështu që i bëj thirrje posaçërisht komunitetit serb, ata duhet ta kuptojnë se regjistrimi i popullsisë nuk kthehet prapa. Mospjesëmarrja në regjistrimin e popullsisë nënkupton që s’mund të marrësh pjesë në shumë shërbime”, ka thënë Kastrati.

Ai ka theksuar se kanë vizituar komunat në Veri dhe sipas tij ka pasur gatishmëri për t’u regjistruar.

“Unë vetë isha dje me disa kolegë në Veri dhe ka një gatishmëri tek popullata atje për regjistrim”.

Kur edhe ndodhi regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, procesi s’u mbajt në katër komunat në Veri, kjo për shkak se me ftesë të Beogradit procesi u bojkotua.

Një mesazh i ngjashëm është shpërndarë sërish.

Në ditën kur në Kosovë ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë, Lista Serbe, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se serbët nuk do të marrin pjesë në këtë proces.

Procesi zyrtarisht për regjistrimin e popullsisë nisi më 5 prill, në komunat veriore të Kosovës, të banuara me popullsi me shumicë serbe, është thënë se do të bojkotohet e në disa komuna të tjera është kërkuar të shtyhet.

Faktikisht procesi është dashur që të nis në të njëjtën datë në 38 komuna të Kosovës, por në Zubin Potok ashtu siç ka deklaruar kryetari Izmir Zeqiri, do të nis të hënën.

“Sot (e premte) pritet të nënshkruajmë kontratat e një pjese për shkaqe teknike. Dua të them që shumica konkurrente e shumicës serbe janë tërhequr nga konkurrenca e tyre”, kishte thënë Zeqiri.

Më 28 shkurt, Qeveria e Kosovës, kishte ndarë 120 mijë euro për fushatën sensibilizuese për projektin e regjistrimit të popullsisë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Regjistruesit e kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.

Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave, sipas Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat) e cila funksionin brenda Komisionit Evropian, shërben si një mjet i rëndësishëm për mbledhjen e informacionit të saktë dhe të përditësuar demografik dhe të banesave, informacione të cilat më pastaj shndërrohen në të dhëna thelbësore statistikore për zhvillimin e politikave.

Sipas Eurostat, ky është një proces i cili duhet të kryhet nën përgjegjësinë e plotë të autoriteteve shtetërorë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore