Lajme

50 milionë euro për transportin e gjelbër të Tiranës, thotë Mete


Ministri i Financave në Republikën e Shqipërisë, Ervin Mete, në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, shpjegoi detaje nga marrëveshja me bankën gjermane KfW për financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës”.

Sipas tij huaja kap vlerën e 50 milionë eurove, me terma të butë nga qeveria gjermane përmes KfW dhe shoqërohet me një grant prej 31 milionë eurosh nga korniza e investimeve për Ballkanin perëndimor ËBIF.

“Shkon në linjë me politikat e gjelbra dhe mbrojtjen e mjedisit dhe synon përmirësimin dhe modernizimin e shërbimeve të transportit publik në qytetin e Tiranës”, tha Mete.

Përmes këtij projekti, vuri në dukje mundësohet ndërtimi i sistemit BRT (bus rapid transit) në 3 prej korridoreve kryesore të transportit publik në qytetin e Tiranës.

“Ndërhyrja është parashikuar në tre nga linjat kryesore në Tiranë ku do të vendosen autobusët elektrike me korsi të dedikuara duke e bërë transportin më të shpejtë dhe më miqësor me mjedisin. KfW do të asistojë edhe implementimin e projektit, i cili është parashikuar të përmbyllet deri në vitin 2029. Është për t’u vlerësuar mbështetja e partnerëve tanë në bashkëpunimin edhe për realizimin e këtij projekti”.

Projekti

Projekti shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit publik në kryeqytetin shqiptar.

Financuar nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Bashkia e Tiranës, ky projekt synon zhvillimin, zbatimin dhe funksionimin e sistemit të parë elektrik të transportit të shpejtë të autobusëve të Tiranës, i njohur si “e-BRT”, në tre nga korridoret kryesore të transportit në Tiranë: Unaza, Tirana e Re dhe Kombinat-Kinostudio.

Qëllimi i projektit nuk është vetëm të përmirësojë ofrimin e shërbimeve në transportin publik, por edhe të reduktojë emetimet e CO2 dhe ndotësve lokalë, duke kontribuar kështu në objektivat e mbrojtjes së klimës dhe mjedisit.

Kostoja totale e projektit prej 110.26 milionë euro mbulohet nga financimi i BE-së nëpërmjet një granti të pakthyeshëm prej 31.09 milionë euro (nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor), një hua 50 milionë euro nga Banka për Zhvillim KfW dhe 29.17 milionë euro nga Bashkia e Tiranës.

Sistemi i transportit të shpejtë të autobusëve elektrikë parashikohet të rrisë shpejtësinë mesatare të autobusëve në linjat e përzgjedhura të autobusëve, gjë që do të përmirësojë ndjeshëm efikasitetin e transportit publik.

Projekti pritet të parandalojë afërsisht 4300 ton emetime CO2 në vit, si dhe të reduktojë emetimet e grimcave (PM) dhe oksidit të azotit me një mesatare prej 25,55 ton NOx dhe 0,18 ton PM në vit, duke kontribuar për një ajër më të pastër dhe në përpjekjet për mbrojtjen e klimës.

Sistemi elektrik i Transportit të Shpejtë të Autobusëve do të zbatohet në 3 korridoret e mëposhtme:

Linja L15 – Lindje – Perëndim nga Kinostudio në Kombinat 17 km duke marrë parasysh të dy drejtimet

L14- Unaza, linja rrethore qendra e qytetit Unaza e 3-të – 14 km duke marrë parasysh të dy drejtimet

L13 – Tirana e Re, Vija Rrethore; pjesa qendrore dhe perëndimore e qytetit – 21 km duke marrë parasysh të dy drejtimet.

Në Shqipëri, KfW zbaton Bashkëpunimin Financiar Gjerman dhe ofron ndihma granti dhe kredi koncesionare për investime kyçe dhe shërbime konsulence në lidhje me projektet. Bashkëpunimi gjerman me Shqipërinë nisi në vitin 1988.

Që atëherë, qeveria gjermane ka angazhuar më shumë se një miliard euro për projekte dhe programe zhvillimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore