Lajme

30 ditë paraburgim për fajdexhitë e Pejës


Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar 30 paraburgim 17 personave në Pejë të arrestuar të martën e 22 shkurtit për fajde.

“Ndaj të pandehurve Kismet Krasniqi, Isa Camaj, Sokol Dembogaj, Besnik Mehmetaj, Driton Podrimçaku, Fadil Zhabollaj, Tafil Alimusaj, Astrit Grabovci, Petrit Kastrati, Valon Kastrati, Alush Bajraktaraj, Labinot Elshani, Shaip Mehmetaj, Orhan Lukaj, Sylë Jusaj, Astrit Kastrati, caktohet masa e paraburgimit, e cila mund të zgjasë nga data 22.02.2022 nga ora 08:30 e gjer më 22.03.2022”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Të martën, Prokuroria Themelore në Pejë, përmes një konference të jashtëzakonshme ka njoftuar se gjatë një aksioni për fajde janë arrestuar 17 persona dhe janë ngrirë pasuri që tejkalojnë shumën prej 5 milionë euro.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi ka thënë se të dyshuarit janë arrestuar për veprën penale “Fajde” dhe “Detyrim”.

“Pas hetimeve disamujore, kjo prokurori ka arritur të arrestojë 17 persona dhe janë ngrirë pasuri që tejkalojnë 5 milionë euro”.

Në anën tjetër, Ymer Imeri nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në Pejë, theksoi se ky operacion i gjerë është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore të Pejës.

“Janë bastisur 21 lokacione dhe janë konfiskuar 12 armë, 10 vetura, dokumente të ndryshme dhe para të gatshme në vlerë mbi 450 mijë euro”, ka thënë Imeri.

Ai tha se janë ngrirë edhe 20 banesa dhe 104 parcela tokë që janë pronë e të dyshuarve.

“Janë ngrirë diku 20 banesa, janë diku 104 parcela tokë (21 parcela tokë ndërtimore ndërsa pjesa tjetër tokë  bujqësore)”, ka thënë më tutje ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore