Lajme

Aksioni për fajde në Pejë, 17 të arrestuar dhe 5 milionë euro të ngrira


Sahide Gashi

Prokuroria Themelore në Pejë, përmes një konference të jashtëzakonshme ka njoftuar se gjatë një aksioni për fajde janë arrestuar 17 persona dhe janë ngrirë pasuri që tejkalojnë shumën prej 5 milionë euro.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi ka thënë se të dyshuarit janë arrestuar për veprën penale “Fajde” dhe “Detyrim”.

“Pas hetimeve disamujore, kjo prokurori ka arritur të arrestojë 17 persona dhe janë ngrirë pasuri që tejkalojnë 5 milionë euro”.

Sipas prokurores 16 të arrestuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

“Sot më 22.2.2022 kemi caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor do të paraqes kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj 16 persona, pasi njëri është në paraburgim. Prokroria ka zbatuar edhe hetimet në pasuri ndaj të pandehurve, që ka bazë për të besuar se janë burim i veprës veprës penale”, tha prokurorja Gashi.

Në anën tjetër, Ymer Imeri nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në Pejë, ka thënë se ky operacion i gjerë është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore të Pejës.

“Janë bastisur 21 lokacione dhe janë konfiskuar 12 armë, 10 vetura, dokumente të ndryshme dhe para të gatshme në vlerë mbi 450 mijë euro”, ka thënë Imeri.

Ai tha se janë ngrirë edhe 20 banesa dhe 104 parcela tokë që janë pronë e të dyshuarve.

“Janë ngrirë diku 20 banesa, janë diku 104 parcela tokë (21 parcela tokë ndërtimore ndërsa pjesa tjetër tokë  bujqësore)”, ka thënë më tutje ai

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore