Lajme

3 si 20 mijë – rrëfimet trishtuese të grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë


Më dhunuan para prindërve. Nëna luajti. Baba më vonë pësoi infarkt. Nëna mbyti vetën. U hodh në bunar. Unë i kam fajet”.

Këto janë fjalitë e një të dhunuare, një nga 20 mijë, të luftës se fundit në Kosovë. Paramilitarët serbë ua dhunuan vajzën e vetme dy prindërve përpara syve dhe i lanë gjallë për ta rijetuar ferrin e asaj dite.

Rrëfimi, një pjesë e tij, është publikuar nga Albanian Post, si sekuencë e shkëputur e dokumentarit që po realizohet nga ekipi i MEMORY-it për dhunimet në luftën e fundit në Kosovë.

Mes ofshamash e vështirësive ajo rikujton ditën kur humbi arsyen për të vazhduar jetën.

Kanë nis me ma rreh babën, unë jam hy në mes dhe pastaj më kanë rreh edhe mua. Edhe nanën e kanë rreh shumë. Mua masnej në sy të prindërve më kanë dhunu”, thotë ajo, që ka pranuar të flas për AP-në me kushtin e anonimitetit.

Më kanë desh me zor. Kam luftu sa kam mund, po s’kam pas më forcë, m’i kanë shqy teshat. S’e kam paramendu kurrë që vjen ajo ditë me pa trupin tem ashtu. Njëri më dhunoi dhe dy të tjerë bën çka deshën në mua”.

Çfarë kishin parë prindërit e saj tek i bënin fëmijës së tyre të vetëm ishte thjesht e papërballueshme për ta.

Ata kurrë s’u këndellën më.

Baba fill murr infarkt e vdiq, nana është gjuajt në bunar. Gjithçka për fajin tim. Derisa të vdes unë ndjehem fajtor se e kom bo një sherr shumë të madh”.

Por, ky është veç një nga rastet horror të luftës së fundit.

Një tjetër me shkallë të njëjtë të tragjedisë, shpaloset në rrëfimin e dytë.

Këtu, gjithçka kishte ndodhur jo para prindërve, por para dy fëmijëve të vegjël, derisa të tretin, 5 muajsh, e mbante në bark.

Çikën e madhe e kisha 4 vjet e gjysmë, të voglën 15 muajsh dhe isha shtatzënë në muajin e 5-të”.

Kur e pa se unë po kundërshtoj, më ka marrë dhe më ka fut në shpajz/kthinë. Ka fillu t’mi heq teshat me zor… s’mund ta përshkruaj atë moment”.

Unë vetëm bërtisja aq sa mundja. Kur ai doli, krejt teshat i kam pas të grisura. E mora një qebe dhe u mbulova me të”.

Gjithçka ndodhte derisa ajo burrin nuk e kishte në shtëpi.

Madje, policët që e dhunuan, i kishin thënë se pikërisht për burrin e saj kishin ardhur. I thoshin se ‘ku po fshihet burri’ meqë dyshonin se është bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me burrin para saj dhe të lidhur, një nga viktimat, tregon si përjetoi atë që as në ëndrrat e saj më të errëta nuk do ta paramendonte.

U dhunua nga disa policë serbë, derisa burrin e kishin detyruar ta shoh gjithë aktin makabër.

Kur hyni ai tjetri fill me tesha më ka hypë përmbi, unë piskat, piskat, piskat, fill mi shqeu teshat, fije fije mi pat bo, edhe ka mbaru punë”.

Ajo nga dhimbja kishte humbur ndjenjat.

Ishte burri i saj që më pas kishte provuar ta rikthente, por ajo refuzonte.

Kur më pa ashtu, m’hodhi ujë dhe më bani zë ‘çeli sytë’, po unë nuk mundja”.

Fakti që gjithçka që i ndodhi ishte para burrit, asaj ia shtonte edhe më shumë dhimbjen.

Burri o shku e ka marrë një paqaver të keqe e më ka fshi e më ka veshë. Po  flakë ma të madhe, ma kijamet, para syve të burrit s’kish”.

Ajo thotë se akoma pyetet “pse më ndodhi mu, pse?”.

Derisa, përkundër se kanë kaluar kaq shumë vjet, jeta e njëjtë me burrin s’u kthye kurrë.

E ndji vetën keq. Burri më ka afru dhe edhe sot më afron, po unë nuk mundem. Më vjen keq shumë, më vjen turp”.

Rrëfimet e plota, dhe histori të tjera të ngjashme dhe paaftësinë e shtetit për t’iu sjellë drejtësi këtyre viktimave edhe pas kaq shumë vjetësh, do të mund t’i ndiqni në dokumentarin e plotë në MEMORY.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore