Kosova

27 shtetet e BE-së e duan Kosovën sa më shpejt në dialog


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ka thënë se të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e duan rikthimin e Kosovës në dialog, pasi sipas tij, “zgjidhja e problemeve në Veri është vendimtare” dhe ajo bëhet përmes dialogut.

“Pra, rruga përpara është dialogu i udhëhequr nga BE-ja. Ky nuk është vetëm mesazhi im. Ky është mesazhi i 27 vendeve anëtare të BE-së të cilët theksuan se rruga evropiane si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë është përmes dialogut me mbështetjen e BE-së dhe përmes normalizimit të marrëdhënieve të tyre”, tha Szunyog në një intervistë për mediumin nga Kosova në gjuhën serbe Kosova Online.

Szunyog ka shtuar se një qasje gjithëpërfshirëse me një zgjidhje politike, është e një rëndësie të madhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në drejtim të stabilitetit dhe paqes afatgjatë.

“Ne presim që Prishtina dhe Beogradi të punojnë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre përmes dialogut të udhëhequr nga BE. Kjo është një platformë ku ata mund të adresojnë çështje të ndryshme, të cilat rëndojnë marrëdhëniet ndërkomunale në Kosovë”.

Ai ka theksuar se duhet të shmangen të gjitha veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej situatën në terren.

“Në kohën kur Evropa kërcënohet nga lufta ruse kundër Ukrainës, ne nuk duhet të lejojmë dhunë dhe destabilitet në Kosovë. Ne thjesht nuk mund ta përballojmë atë”, thotë Suniog.

Megjithatë, një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të vijojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Veri.

“Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë”, tha Kurti pas takimit me kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.

Kreu i qeverisë kosovare ka potencuar po ashtu se “qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj”.

Ndryshe, më 14 shtator në Bruksel janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Pas takimit, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, kishte fajësuar kreun e ekzekutivit kosovar për mosgatishmërinë e tij për të pranuar propozimin e BE-së për kompromis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore