Lajme

“2022 duhet të jetë fundi i pandemisë COVID-19”


COVID-19 në Kosovë – Klinika Infektive.

Që nga marsi i 2020 e deri në dhjetor të vitit 2021, pandemia COVID-19 mori jetën e dy mijë e 990 personave në Kosovë.

Viti 2021, në sektorin e shëndetësisë u karakterizua me ulje e ngritje të rasteve, duke e bërë secilën ditë më sfiduese se tjetrën për autoritet shëndetësore.

Mbajtja e maskës dhe distanca fizike prej së paku 1.5 metra ishin dhe vazhdojnë të jenë dy nga masat elementare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, në një prononcim për Albanian Post thotë se, “2021 ka qenë një vit i dhimbshëm për të gjithë, por që nuk duhet të lejojmë të jetë një vit i shkuar huq”.

Rekomandimet e ministrisë së Shëndetësisë.

Syla konsideron se ky vit duhet të jetë vit i mësimeve.

“Ndërsa i afrohemi një viti të ri, të gjithë duhet të nxjerrim mësimet që kemi mësuar këtë vit. 2022 duhet të jetë fundi i pandemisë COVID-19. Por ai duhet të jetë gjithashtu fillimi i diçkaje tjetër: një epokë e re e solidaritetit ndërkombëtar dhe unitetit kombëtar”.

Ai shton pozita në të cilën gjendet bota aktualisht edhe shumë e mirë se në fillim të pandemisë.

“Ne kemi mjete në duart tona që nëse aplikohen saktë ne mund të jemi përpara virusit jo në të kundërtën. Shqetësimet e mia të mëdha do të ishin se keqinformimi do të ngatërronte ende shumë njerëz dhe do t’i vinte ata në rrethin vicioz të mosbesimit ndaj shkencës, por duke besuar në teori të ndryshme konspirative. Kjo mund të kushtojë me jetë njerëzish. Shëndeti dhe jeta nuk duhen lënë rastësisë”.

Sipas tij, “duhet të përdorim çdo mjet të mundshëm për të shpëtuar jetë njerëzish. Ne humbëm kaq shumë jetë gjatë vitit 2021 që mund të ishinshpëtuar. Nuk duhet të lejojmë që kjo të vazhdojë në vitin 2022”.

Klinika Infektive në Kosovë

Kryetari i shoqatës së anesteziologëve, Lulzim Emini, i pyetur nga Albanian Post për sfidat e stafit shëndetësor gjatë vitit 2021, u shpreh se kjo ka qenë sfidë profesionale mjaft e madhe.

“Kjo ka qenë sfidë profesionale për ne, se si të trajtohen këta pacientë”, tha Emini.

Por, pavarësisht sa sfiduese vazhdon të jetë, ai thotë se nuk janë dorëzuar asnjëherë.

“Prej periudhës të marsit të vitit 2020 në botë prej vitit 2019 edhe sot kur po bisedojmë është sfidë profesionale për mjekimin e këtyre pacientëve për shkak të simptomalogjisë në periudha kohore që ka dhënë ky virus, edhe sot diskutojmë me profesionist shëndetësor, ndërkombëtar që shkëmbejmë përvoja që ta gjejmë një udhërrëfyes më të mirë të mundshëm”.

Kartela e vaksinimit në Kosovë.

Tutje ai thekson se në krye të pandemisë kanë qenë edhe anesteziologët që nga fillimi i pandemisë.

“Me lajmërimin e rasteve të para të infektuar me virus, njerëzit e parë, profesionistët e parë që kanë marrë përgjegjësi me këtë punë kanë qenë infektologët, mirëpo rastet e para të rënda të pranuara nga infektologët kanë filluar të merren edhe anastaziologët”.

Edhe për infektologun, Hamdi Ramadani, pandemia ka sjellur një numër të madh të sfidave.

“Kemi pasur paraqitje të numrit të madh të rasteve të mjekimit me COVID-19 e po ashtu numër të madh të vdekjeve, edhe pse si vend kemi filluar të fundit vaksinimin, kemi arritur që të vaksinojmë një numër të madh të qytetarëve”.

“Por muajt e verës janë karakterizuar me rritje të rasteve pasi kanë filluar tubimet, festat, dasmat, ahengjet në të cilat nuk zbatoheshin asnjëra nga masat dhe situate ishte alarmuese e rëndë”.

Ky vit u karakterizua edhe me ulje të interesimit të vaksinimit nga qytetarët.

“Me paraqitjen e varianteve të reja është zvogëluar interesimi i popullatës për të marr vaksinën dhe kjo ishte jo e mirë, por ende kemi pak interesim të qytetarëve edhe pse është pandemia në të tërë botën”.

Zgjedhja e vaksinave.

Në një periudhë kohore të pandemisë vaksina antiCOVID po zgjidhjet nga stafi shëndetësorë.

Hana Xhemajli, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, tha për Albanian Post se “nëse nga personeli shëndetësor është refuzuar një lloj i vaksinës në pritje të tjetrës, atëherë personat që e refuzojnë vaksinën duhet të hynë në fund të listës dhe pas vaksinimit të gjithëve, të ju vjen radha e atyre”.

Por, shton se ky princip nuk është i lehtë të përcillet.

“Edhe pse në dukje ka pasur hezitim nga ana e stafit mjekësor, nuk ka qenë rregull gjithëpërfshirës. Besoj që duhet të ketë një mbikëqyrje të situatës më të thellë për indikatorët e mos marrjes së AstraZeneca dhe pastaj të arrijmë tek konkluzioni se a me të vërtetë qëndron supozimi i tillë”, thotë Xhemajli.

Shëndetësia në vitin 2021 në Kosovë

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në pandemi

Në historinë e Kosovë, pandemia bëri që zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në vitin 2021 të mbaheshin në rrethana krejt ndryshe se nga herët e kaluara.

Korridoret e ngushta të sallës ‘1 Tetori’ në Prishtinë, shërbyen këtë ditë si hapësirë që ekipet mobile të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të bëhen gati për të dalë në terren.

Me veshje mbrojtëse ndaj sëmundjes COVID-19, ekipet prej katër personave shkuan në shtëpitë e personave që ishin të prekur nga ky virus dhe që po shërohen në shtëpitë e tyre për të ju mundësuar votimin.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë në kohë pandemie.

Partia që fitoi zgjedhjet më 14 shkurt në krye me Albin Kurtin prioritet kishte vaksinimin e 60 për qind të popullatës kundër Coronavirusit.

Çka ndodhi me sigurimet shëndetësore që ju premtuan qytetarëve?

Vetëm në shtatë ditët e para të marsit, Kosova u përball me një valë të madhe duke regjistruar 3 mijë e 227 raste me COVID-19.

Kostoja e shërimit ndaj këtij virusi ishte tejet e lartë, një problem që po vazhdonte të qëndronte ishte mungesa e sigurimeve shëndetësore.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), në një prononcim për Albanian Post thotë se mungesa e sigurimeve ka bërë që qytetarët të mos mund t’i mbulojnë sigurimet shëndetësore.

Sigurimet shëndetësore në Kosovë.

“Mungesa e sigurimeve shëndetësore po i lë në mëshirën e sëmundjes shumë qytetar të Kosovës, pasi që një pjesë e madhe e tyre nuk arrijnë t’i mbulojnë me paratë e tyre nevojat shëndetësore”, thotë Kodra.

Arritja e vaksinave të para antiCOVID në Kosovë

Më 28 mars, në Kosovë arritën 24 mijë dozat e para të vaksinës anti-Covid.

Arritja e vaksinave të para antiCOVID në Kosovë.

Vaksinat e para nga Amsterdami përmes Stambollit, kishin arritur në aeroportin e Prishtinës në kontingjent ky i parë nga kompania “AstraZeneca” përmes programit COVAX.

Ministria e Shëndetësisë morri vendim që vaksinimi të bëhet në sallën “1 tetori në Prishtinë”.

Arritja e vaksinave të para antiCOVID në Kosovë.

Fushata e imunizimit në Kosovë ishte ndarë në tri faza.

Në të parën u është dhënë përparësi punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.

Nga mesi i majit është zhvilluar faza e dytë, që ka përfshirë personat e moshës 65 deri në 79 vjeç, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv.

Terminët për vaksinim po caktoheshin përmes platformës elektronike së Ministrisë së Shëndetësisë e-Kosova, ani pse qytetarët jo rrallë herë u përballen me telashe.

Miratimi i masave të reja në luftë kundër COVID-19

Më pesë prill, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vendosi masa të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Këto masa ndalonin qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.

Shërbimet e gastronomisë obligoheshin të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill.

Shërbimet e gastronomisë u lejuan të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Vaksinimi në sallën “1 tetori” në Prishtinë.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, u ndalua edhe veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar nga data 12 prill deri me 18 prill, dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data 7 prill deri me datë 18 prill u obliguan që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore.

Në korrik, arritën edhe 46 mijë doza të vaksinave Pfizer në Kosovë.

Përveç pandemisë, në po këtë muaj në depon farmaceutike të Ministrisë së Shëndetësisë i skadoi afati i insulinave të cilat kushtuan mbi 36 mijë euro.

Vaksinat COVAX.
Kosova ndryshon planin shtetëror të vaksinimit

Më 16 gusht, Kosova ndryshoi planin shtetërorë të vaksinimit duke lejuar edhe vaksinimin e personave nën 18 vjeç.

Sipas vendimit të ri, lejohet vaksinimi i personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer ndërsa për grupmoshën 12-15 vaksinimi “do të bëhet me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”.

Vaksinimi i fëmijëve në Kosovë.
Ç’u bë me Spitalin e premtuar “COVID-19”?

Gushti ishte muaji tjetër i rritjeve të rasteve me COVID-19 në Kosovë.

Spital i veçantë për pacientët me Coronavirus ishte premtuar me 20 shtator të vitit 2020, në atë kohë ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, kishte deklaruar se “Spitali COVID-19″ me 500 shtretër, do të jetë gati shumë shpejt, por tenderi ishte anuluar.

Në muajin gusht, stafi shëndetësor po e konsideronte më të rëndësishëm se kurrë një spital të tillë dhe nevojën urgjente për hapësira shtesë.

Klinika Infektive në Kosovë
Themelimi i Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë

Vendim tjetër për uljen e rasteve nga Qeveria e Kosovës ishte edhe themelimi i Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë, më 30 gusht.

Ky vendim i Qeverisë, erdhi një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, në të cilën u diskutuan masat që duhet ndërmarrë për shkak të numrit të lartë të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19.

Klinika Infektive.
Ndërrimi i ministrave në kohë pandemie shkaku i zgjedhjeve lokale

Shëndetësia u përball edhe me ndërrim të ministrave.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia më 1 tetor njoftoi për dorëheqjen e tij nga ky post, për t’u fokusuar në garën për Prishtinën.

Këtë vendim tha se e ka marrë në bashkërendim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Pata privilegjin t’i shërbejë popullit në kohë të vështirë.  Më lejoni të ju njoftoj për vendimin që e kam marrë në dakordim me kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Unë sot po e përmbylli angazhimin tim në këtë detyrë,  me të cilën më pat ngarkuar Kurti, ku jam mirënjohës ndaj tij”, deklaroi Vitia, të premten në konferencë për media.

Ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Si ushtruese e detyrës në krye të ministrisë së Shëndetësisë, ish ministri Vitia bëri të ditur se do të jetë Dafina Gexha Bunjaku deri në emërimin e ministrit të ri.

Ish ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Më 16 nëntor, u morr vendim për ministrin e ri të Shëndetësisë në Kosovë, i cili ishte Rifat Latifi.

Ministri i ri i Shëndetësisë Rifat Latifi, që erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ripërsëritur disa herë që synon që ta kthejë ‘trurin shkencor’ të larguar nga Kosova duke nënkuptuar kthimin e mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në vend.

Latifi është shef i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester në New York, profesor në Universitetin e Arizonës, anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve, kryetar themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që nga dhjetori i vitit 2018.

Emërimi i ministrit të ri të Shëndetësisë, Rifat Latifi
Kosova pa asnjë test për HIV gjatë pandemisë

Pandemia bëri që në Kosovë të ketë mungesë edhe të testeve HIV.

Këtë e ka bërë të ditur për Albanian Post, Fatmir Gashi, përgjegjës i Qendrës për Këshillim dhe testim në Klinikën Infektive.

Ndryshe, dy persona që janë edhe me HIV/AIDS janë infektuar me Coronavirus. Kështu kanë bërë të ditur infektologët në vend, sipas të cilëve njëri ka qenë i shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, derisa tjetri është trajtuar në shtëpi me rekomandime të mjekëve.

Testet HIV – Ilustrim.

Aktualisht në Kosovë jetojnë 40 persona të identifikuar me këtë virus, kurse rasti i parë ishte raportuar në vitin 1986.

Virusi HIV vazhdon të jetë problemi global shëndetësor i cili, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka marrë gati 33 milionë jetë deri më tani, kurse 38 milionë persona jetojnë me të.

Variantet e reja të COVID-19 të identifikuar në Kosovë

Në po këtë muaj në Kosovë, autoritetet shëndetësore njoftuan se kanë identifikuar 12 raste me variantin Delta Plus të Coronavirusit.

Një variant i ri në Kosovë do të thoshte një dozë të tretë e vaksinës më tepër.

Nga e enjtja e nëntë dhjetorit në Kosovë filloi dhënia e dozës së tretë e vaksinës anti-COVD.

“Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet  6 muaj pas  marrjes së dozës së dytë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Muajin e fundit të vitit po e përmbyll një variant i ri i COVID-19 i quajtur “Omicron”, variant ky i identifikuar tashmë edhe në Kosovë.

Më 26 dhjetor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, lajmëroi se janë identifikuar 9 raste të variantit Omicron të SARS-COV-2 në Kosovë.

Variantet e COVID-19.

Prej këtyre rasteve të identifikuara, dy janë raste të ardhura nga ShBA, 2 nga Londra, një nga Franca, dhe katër nga Mitrovica të cilët mohojnë të kenë udhëtuar jashtë vendit ose të kenë pasur kontakte me dikë nga jashtë, njofton IKSHPK.

Ngjashmëritë e shenjave klinike të variantit Omicron dhe gripit stinor janë pothuajse të përafërta.

Mirëpo a mjaftojnë dy vaksinat antiCOVID edhe për varianin Omicron?

“Jo, dy vaksina nuk janë të mjaftueshme për variantin Omicron. Gjithsesi, duhet edhe doza përforcuese në mënyrë që të krijohet një imunitet i qëndrueshëm për përballjen me Omicron”, ka thënë infektologu Salih Ahmeti për Albanian Post.

Ahmeti ka thënë se doza e tretë ose siç njihet ndryshe si doza përforcuese, rrit së paku për 25 herë nivelin e mbrojtjes dhe se vaksina antiCOVID është vaksina e vetme kundër variantit Omicron.

“Zakonisht doza e tretë e rrit nivelin e antitrupthave së paku për 25 herë. Vaksina antiCOVID është vaksinë e duhur edhe për variantin Omicron”, spjegon Ahmeti.

Edhe këtë vit festimet e Vitit të Ri në botë janë anuluar pasi rastet në rritje me Coronavirus po i zbehin festimet për vitin e dytë me radhë.

Infeksionet globale me COVID-19 arritën rekorde në shtatë ditët e fundit, me një mesatare me mbi 1 milion raste të reja në gjithë botën nga 24 deri më 30 dhjetor.

Më 31 dhjetor, Komuna e Prishtinës ka anuluar koncertin e paraparë të mbahet live “Prite n’Shesh”.

Anulimi i përformacës live është bërë në harmoni me vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe Institutit Kombtarë të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHKP) për të parandaluar përhapjen e variantit të ri të virusit Omicron.

Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore