Lajme

Gabimi që mund të kushtojë jetë njerëzish – Ç’u bë me Spitalin e premtuar “COVID-19”?


Klinika Infektive në Kosovë

Kur Qeveria e re u formua dhe numrat me të infektuar e të vdekur nga COVID-19 u ulën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se adresë për shifrave të vogla janë politikat e ekzekutivit, por tani që numri i vdekjeve është dyshifror (18 të vdekur vetëm të enjten) dhe mijëra pacientë infektohen çdo ditë, qytetarët kanë mbetur pa adresë të fajtorit.

Përveç kësaj, rrezikojnë të mbeten edhe pa shtretër për t’u trajtuar plot 24 mijë pacientët aktivë me COVID-19, ku një numër i madh i tyre nevojitet të hospitalizohet për ta luftuar virusin.

Një spital i veçantë për pacientët me Coronavirus ishte premtuar dhe me 20 shtator të vitit 2020, në atë kohë ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, kishte deklaruar se “Spitali COVID-19″ me 500 shtretër, do të jetë gati shumë shpejt, por tenderi ishte anuluar.

Tani stafi shëndetësor po e konsideron më të rëndësishëm se kurrë një spital të tillë dhe nevojën urgjente për hapësira shtesë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, në një prononcim për Albanian Post është shprehur se një spital për pacientët me COVID është i domosdoshëm.

“Një spital i tillë do të lehtësonte punën e stafit shëndetësor dhe sigurisht që do të ishte i mirëpritur në rast se do të merrej një vendim i tillë”, deklaroi Vishaj për Albanian Post.

Edhe, Kryetarit i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, e konsideron një ide të mirë, nëse vendi ynë do të planifikonte për një spital infektiv për COVID-19.

“Kjo pandemi ka kohë që është në mesin tonë si në vendin tonë ashtu edhe në botë, askush nuk e di se edhe sa do të jetë i pranishëm ky virus”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, “puna do të ishte më e lehtë për stafin mjekësor dhe do të ishim të përgatitur më mirë për trajtim të virusit COVID-19, do të kishim menaxhim më të mirë, trajtim dhe çdo gjë për pacientët”.

Ai madje thotë, se ky vendim “do të ishte i drejtë dhe profesional”.

Po ashtu, infektologu Sali Ahmeti, e ka konsideruar nevojë urgjent “Spitalin COVID-19”.

“Spital do të duhej të ishte në dispozicionin tonë sa më parë, ne kemi nevojë të kemi numër më të shtuar të shtretërve për personat që kanë nevojë për hospitalizim dhe në mënyrë të veçantë ata që kanë nevojë për kujdes intensiv”, pohoi Ahmeti.

Klinikat në QKUK të mbushura me pacientë

Autoritetet shëndetësore në Kosovë, kanë bërë të ditur se numri i madh i të infektuarve me Coronavirus, ka bërë që të ketë edhe rritje të rasteve që kërkojnë hospitalizim.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Valbon Krasniqi për Albanian Post bëri të ditur se ka një numër shumë të madh të pacientëve me Coronavirus që kërkojnë trajtim spitalor.

Krasniqi deklaroi se, “çdo ditë po shtrohen në spitale gati 100 pacientë”.

Ndërkaq theksoi, se për shkak të kësaj do të detyrohen që në spitale të trajtohen vetëm rastet të cilat janë të rënda.

“Në spitale për shkak të numrit të madh të pacientëve me COVID-19, do të trajtohen vetëm rastet e rënda, por pacientët mund të trajtohen edhe në qendrat e mjekësisë familjare”.

Ndër të tjera, Krasniqi pohon se punëtorëve shëndetësore, i janë ndaluar edhe pushimet vjetore.

“Jemi të detyruar t’i pezullojmë programet elektive (jo emergjente), ndërsa vizitat në ambulanta specialistike do të reduktohen në 50 për qind. Kërkojmë ndjesë edhe ndaj punëtoreve shëndetësorë pasi jemi detyruar të ndërpresim edhe pushimet e tyre vjetore që të kemi personel të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve”, deklaroi ndër të tjera Krasniqi.

Klinika Infektive në Kosovë

Cilat ishin planet e Ministrisë së Shëndetësisë për spitalin COVID-19?

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), kishin synuar të bënte gati ‘Spitalin COVID-19’, në vitin 2020.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë në atë kohë, objekti i Klinikës Emergjente do të adaptohej për nevojat e pacientëve me sëmundjen COVID-19.

‘Spitali COVID’ ishte paraparë të ketë 500 shtretër dhe do të hospitalizoheshin kryesisht pacientët me COVID-19.

Mirëpo, në janar, Ministria e Shëndetësisë e ka pezulluar tenderin prej 18.6 milionë euro për adaptimin e Klinikës së re Emergjente për nevoja të COVID-19 dhe që nga atëherë nuk ka pasur ndonjë vendim të publikuar në lidhje me këtë tender.

Ministria e Shëndetësisë nën udhëheqjen e Armend Zemaj, e kishte shpallur tenderin për adaptimin e Klinikës se Re Emergjente për nevoja të COVID-19 më 23 dhjetor 2020. Ky tender ishte anuluar për shkak të mungesës së buxhetit.

Anulimi është bërë para hapjes së ofertave, në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik.

“Duke marrë parasysh se në buxhetin e miratuar për vitin 2021 nuk është paraparë buxhet për këtë projekt, kërkojmë anulimin e aktivitetit të prokurimit për arsye të mungesës së buxhetit”, thuhej në kërkesën e Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë.

Kjo ministri kishte parashikuar të shpenzojë 18,683,463 milionë euro për realizimin e punimeve ndërtimore dhe të infrastrukturës përcjellëse, për vazhdimin e punimeve dhe adaptimin e objektit ekzistues të Klinikës së Re të Emergjencës në QKUK, në spital për menaxhim klinik të rasteve me COVID-19.

Albanian Post, ka kontaktuar edhe zyrën për informim të Ministrisë së Shëndetësisë nëse ka ndonjë vendim për ri hapjen e një tenderi të tillë, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur për këtë çështje.

Vetëm, të enjten e 26 gushtit në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 18 persona të vdekur nga COVID-19 dhe dy mijë e 295 persona të infektuar.

Ky numër i i të infektuarve vjen nga 12 mijë e 406 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore