Lajme

Kosovë: Në spitale do të trajtohen vetëm rastet e rënda


Ilustrim

Autoritetet shëndetësore në Kosovë, kanë bërë të ditur se numri i madh i të infektuarve me Coronavirus, ka bërë që të ketë edhe rritje të rasteve që kërkojnë hospitalizim.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Valbon Krasniqi për Albanian Post bëri të ditur se ka një numër shumë të madh të pacientëve me Coronavirus që kërkojnë trajtim spitalor.

Krasniqi bëri të ditur se, “çdo ditë po shtrohen në spitale gati 100 pacientë”.

Ndërkaq theksoi, se për shkak të kësaj do të detyrohen që në spitale të trajtohen vetëm rastet të cilat janë të rënda.

“Në spitale për shkak të numrit të madh të pacientëve me COVID-19, do të trajtohen vetëm rastet e rënda, por pacientët mund të trajtohen edhe në qendrat e mjekësisë familjare”.

Sipas tij, “edhe në të kaluarën kemi parë që ka funksionuar mirë trajtimi i pacientëve në QMF”.

Ai deklaroi se nga ditë e hëne do të ketë reduktim të shërbimeve në QKUK.

“Nga dita e hënë në Klinikat QKUK-së, do të reduktohen shumë shërbime në mënyrë që mjekët të fokusohen te pacientët me Coronavirus”.

Ndër të tjera, Krasniqi pohon se punëtorëve shëndetësore, i janë ndaluar edhe pushimet vjetore.

“Jemi të detyruar t’i pezullojmë programet elektive (jo emergjente), ndërsa vizitat në ambulanta specialistike do të reduktohen në 50 për qind. Kërkojmë ndjesë edhe ndaj punëtoreve shëndetësorë pasi jemi detyruar të ndërpresim edhe pushimet e tyre vjetore që të kemi personel të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve”, deklaroi ndër të tjera Krasniqi”.

Po ashtu, për herë të parë, në Klinikën e Pediatrisë janë shtruar 10 fëmijë të prekur nga COVID-19.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 1 mije e 682 persona të infektuar nga COVID-19 dhe 11 persona të vdekur.

Numri i të infektuarve vjen nga 10 mijë e 710 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 263 persona gjithsejtë.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 19 mijë e 695.

Në Kosovë tashmë ka nisur programi i vaksinimit masiv kundër Coronavirusit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm brenda 24 orëve të fundit janë vaksinuar 18 mijë e 776 persona kundër Coronavirusit.

Ndërkaq, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 707 mijë e 793 doza të vaksinës.

Po ashtu, deri më 22 gusht, 236 mijë e 405 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

32 pacientë në gjendje të rëndë në spitalet e Kosovës

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka thënë të dielën se në spitalet e përgjithshme në Kosovë, si dhe në klinikat për trajtim të koronavirusit, janë të shtrirë 858 pacientë, prej tyre 776 me Coronavirus.

Sipas SHSKUK-së, 32 pacientë janë në gjendje të rëndë dhe 664 po trajtohen me oksigjenorapi.

Nga 20 gushti, në Kosovë kanë nisur së zbatuari masat e reja për luftim të pandemisë.

Ahengjet dhe dasmat janë anuluar, është zvogëluar orari i bizneseve të gastronomisë, si dhe është shtuar kërkesa për dëshmi të vaksinimit për të fituar qasje në një mori aktivitetesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore