Kosova

“e-Kosova” pamundëson regjistrimin e qytetarëve për vaksinim


Ilustrim

Në platformën e Ministrisë së Shëndetësisë e-Kosova, përmes së cilës qytetarët mund të aplikojnë për t’u vaksinuar kundër COVID-19 për ndarjen e terminit për vaksinim lejohen vetëm: Personat e moshës mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, mësimdhënësit, profesionistët shëndetësor, forcat e sigurisë të përfshira direkt në menaxhimin e COVID-19 (Policia, FSK).

Foto nga faqja për regjistrimin e vaksinave e-Kosova

Kurse, të premten në të njëjtën faqe e-Kosova, njoftimi thoshte: “Për momentin Ministria e Shëndetësisë nuk ka terminë të lira nëpër qendrat e vaksinimit në vendbanimin tuaj. Ju lutem provoni më vonë”.

Foto nga faqja për regjistrimin e vaksinave e-Kosova

Lidhur me procesin e vaksinimit deputeti nga partia opozitare PDK, Bekim Haxhiu, në një prononcim për Albanian Post thotë se mos-vaksinimi i qytetarëve po ndodh “veç për arsyeje se nuk ka vaksina”.

Haxhiu u shpreh se deri tani në Kosovë ka pasur vetëm donacione të vaksinave.

“Deri dje ka pasur vetëm donacione edhe për këtë arsyeje nuk ka ndodhur vaksinimi masiv, paramendoni janë 251 ekipe mjekësore të angazhuara me nga 30 punëtorë për vaksinimin masivë”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka thënë se kontingjenti që ka ardhur të hënën, është një kontingjent shumë i vogël.

“Nuk kanë ardhur 1 milionë e 200 vaksina, por ka ardhur vetëm një kontingjent prej 81 mijë e 900 vaksinave, që janë shumë pak për këtë proces të vaksinimit”, theksoi Haxhiu.

Kontratat për sigurimin e vaksinave dhe blerjen e tyre ende nuk po publikohen nga Ministria e Shëndetësie.

Haxhiu akuzon qeverinë për mos-publikimin e këtij dokumenti, duke e quajtur si jo transparente.

“Qeveria po e mban të fshehtë kontratën, e ka klasifikuar si dokument sekret, nuk po e bën transparente. Këtë për kontingjentin e vaksinave kur do të vinë dhe me këtë ritëm Kosova vazhdon me qenë vendi i fundit në Botë sa i përket vaksinimit edhe vendi i fundit në rajon sa i përket procesit të vaksinimit”.

Qeveria e Kosovës është zotuar se ka prioritet, që deri në fund të këtij viti, të vaksinojë 60 për qind të popullsisë kundër Coronavirusit.

Numri i të vaksinuarve deri tani konsiderohet të jetë shumë i ulët.

Kosova ka nisur vaksinimin në fund të muajt mars. Deri më datën 22 qershor, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë janë administruar mbi 140 mijë doza të vaksinës.

Procesi i vaksinimit në Kosovë ka nisur më 15 qershor, deri më tani janë vaksinuar mbi 152 mijë qytetarë, ndërsa edhe dozën e dytë të imunizimit e kanë marr mbi 26 mijë persona

Koordinatori për vaksinim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi ka thënë se vaksina ka, por mos caktimi i terminit në platformën e-Kosova, po ndikon që numri i vaksinimeve të jetë më i ulët.

“Përveç kësaj, qytetarët duhet ta dinë se pavarësisht përcaktimit të terminit që e bëjnë, duhet t’i takojnë grup moshës mbi 65 vjeç. Nëse i referohemi personave me sëmundje kronike, detyrimisht duhet të dëshmojnë mbi problemin apo sëmundjen që e kanë pasur dhe e kanë. Dhe në kategorinë e tretë i kemi pjesëtarët e Policisë së Kosovë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mësimdhënësit”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka njoftuar se të hënën ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave kundër Coronavirusit, të prodhuara nga Pfizer/BioNTech.

Ky kontingjent i vaksinave prej 81 mijë e 900 doza, është rezultat i marrëveshjes së arritur mes kompanisë amerikane Pfizer dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në muajin maj, për më shumë se 1 milion doza.

Deri më tani, Kosova ka zhvilluar fushatën e vaksinimit përmes donacioneve të siguruara nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që shpërndan vaksina për vendet e varfra, apo nga Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore