Lajme

Sigurimet shëndetësore të nevojshme, por pa plan nga institucionet


Ilustrim

Që nga viti 2004, ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Ky ligj është miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr. Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet).

Duke mos pasur sigurim shëndetësor edhe te qytetarët është krijuar një kulturë e funksionimit ndryshe në raport me shëndetësinë.

Prandaj, Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), thotë për Albanian Post se ka qytetarë që nuk kërkojnë fare shërbime shëndetësore.

“Në vitin 2017 në Raportin e Progresit për Kosovën është konstatuar se 18 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk kërkojnë shërbime shëndetësore për shkak të barrës financiare”, tha Kodra.

Por potencoi se, “mungesa e sigurimeve shëndetësore po i lë në mëshirën e sëmundjes shumë qytetar të Kosovës, pasi që një pjesë e madhe e tyre nuk arrijnë t’i mbulojnë me paratë e tyre nevojat shëndetësore”.

Kodra theksoi nevojën emergjente për sigurimet shëndetësore, në mënyrë që Kosova të sigurojë kujdes shëndetësor universal për të gjithë, pa marr parasysh kushtet financiare dhe ato të sëmundjes së pacientit.

Ndërsa, sipas tij, institucionet duhet të veprojnë në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së qytetarëve të vendit.

“Arsye kryesore pse nuk ka sigurime është neglizhenca e institucioneve për t’u përgatitur për këtë proces. Tjetër arsye është edhe sabotimi i procesit nga akter të ndryshëm të cilët nuk e kanë me interes fillimin e këtij procesi”.

Në anën tjetër, Bekim Haxhiu, anëtarë i Komisionit për Shëndetësi i tha Albanian Post se që 11 vite janë ngritur shqetësime për mungesën e sigurimeve shëndetësore.

“Në periudhën kohore gjatë vitit 2017 dhe vitit 2019 është punuar për sigurimet shëndetësore për të cilët është funksionalizuar fonti i sigurimeve shëndetësore, mirëpo rrëzimi i Qeverisë e ka pamundësuar implementimin e atij projekti”, u shpreh Haxhiu.

“Tani nuk jam i informuar rreth asaj çka është duke punuar Qeveria aktuale për sigurimet shëndetësore, mirëpo duhet të plotësohet dhe ndryshohet edhe ligji për shëndetësi edhe ligji për siguri shëndetësore e asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur”.

Po ashtu, Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor Blerim Syla, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thotë se drafti i ri i sjellur nga Qeveria nuk është i qartë.

“Në kuptimin se si do të bëhet ky ligj dhe me çfarë mënyre do të mblidhen premiumet, më pas nuk kemi sistem informativ shëndetësor dhe nuk ka mekanizma mbrojtës të mbledhjes dhe shpenzimit të mjeteve”, është shprehur Syla.

Ai thekson se “një ligj i tillë për sigurime shëndetësore, nuk mund të kaloj sepse kemi informalitet në ekonomi dhe sinqerisht duhet të përgatitemi se çfarë shërbime do të japim në momentin kur fillojmë t’i mbledhim parat”.

“Punëtorët shëndetësorë janë ata të cilët do të përballen me këtë problematikë”, potencoi Syla.

Albanian Post ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë për të ditur se a kanë ndonjë plan për të realizuar ligjin për siguri shëndetësore, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

MSH-ja, më herët, pati shpjeguar se sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ligji për siguri shëndetësore, në tre vjetët e parë të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat, do të paguajnë në muaj nga 3.5 për qind të të ardhurave të tyre bruto, për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajnë edhe punëdhënësit.

Në ato kompani apo organizata private, ku qarkullimi vjetor nuk arrin mbi 50 mijë euro, për sigurim shëndetësor do të paguajë vetëm punëmarrësi, në vlerë prej 2 eurosh për anëtar të familjes.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore