Lajme

Dy doza vaksine nuk mbrojnë edhe nga Omicron


Salih Ahmeti Infektolog

U bënë një javë që kur rastet e para të variantit të ri të coronavirusit, Omicron, janë regjistruar edhe në Kosovë.

Nga 22 mostra të marra të rasteve pozitive me COVID-19, janë konfirmuar nëntë prej tyre si raste me variantin Omicron në vend.

Sipas infektologëve kosovarë, ky variant mund të rëndoj situatën epidemiologjike edhe më shumë se sa varianti paraprak Delta, pasi që është gjashtë herë më shpejtë i shpërndashëm ose ngjitës.

Ndërsa paraqitja e këtij varianti në Kosovë ishte e pashmangshme, pasi që së fundi u shfaq edhe në shtetet e rajonit.

Vaksina e tretë antiCOVID, sipas infektologëve kosovarë është mbrojtja më e mirë nga Omicroni.

Por a mjaftojnë dy vaksinat antiCOVID edhe për varianin Omicron?

“Jo, dy vaksina nuk janë të mjaftueshme për variantin Omicron. Gjithsesi, duhet edhe doza përforcuese në mënyrë që të krijohet një imunitet i qëndrueshëm për përballjen me Omicron”, ka thënë infektologu Salih Ahmeti për Albanian Post.

Omicron

Ahmeti ka thënë se doza e tretë ose siç njihet ndryshe si doza përforcuese, rrit së paku për 25 herë nivelin e mbrojtjes dhe se vaksina antiCOVID është vaksina e vetme kundër variantit Omicron.

“Zakonisht doza e tretë e rrit nivelin e antitrupthave së paku për 25 herë. Vaksina antiCOVID është vaksinë e duhur edhe për variantin Omicron”, spjegon Ahmeti.

Ndërsa sipas infektologut, Pfizer është efikasja.

“Zakonisht Pfizeri është vaksina më e preferueshme si dozë përforcuese. Mundet edhe Modern, por Pfizeri është vaksinë shumë efikase dhe që krijon nivel të duhur mbrojtës të antitrupthave në përballje me Omicron”, ka thënë ai.

Shishkët e etiketuara “Vaksina kundër Coronavirus COVID-19” dhe një shiringë shihen përpara logos së Pfizer në këtë ilustrim të marrë më 9 shkurt 2021. REUTERS/Dado Ruvic

Për Albanian Post, infektologu Ahmeti ka deklaruar se qarkullimet dhe lëvizjet e njerëzve krijojnë mundësi më të madhe të përhapjes së infeksionit me Omicron.

“Duke marrë parasysh se është shumë ngjitës, pra transmetohet prej një personi tek tjetri, ku mendohet që është diku gjashtë herë më i transmetueshëm në mesin e personave të kontaktit në raport me variantin Delta, pra me variantin paraprak i cili ka qenë mjaftë ngjitës”.

Përveç vaksinës përforcuese, ai rekomandon që masat mbrojtëse të respektohen me rreptësi nga ana e qytetarëve.

“Transmetueshmëria e tij është shumë e madhe dhe kjo e bënë të obligueshme në mënyrë të veçantë respektimin e masave mbrojtëse dhe marrjen e dozës përforcuese të vaksinës në mënyrë që përballja me Omicron të jetë sa më të butë, pra me ma më pak pasoja’, ka deklaruar ai.

Sa i përket distancës kohore të marrjes së vaksinës së tretë nga vaksina paraprake, ajo e dyta, infektologu Ahmeti thotë se ka ndryshuar rekomandimi i mëhershëm si rezultat i Omicron.

“Zakonisht deri në muajin e fundit, doza përforcuese është preferuar gjashtë muaj pas marrjes së vaksinës, pra dozës së dytë. Mirëpo, vendet evropiane por edhe tek ne, tani është e rekomanduar që mund të merret tre muaj pas dozës së dytë”.

Vaksinimi antiCOVID në Qendren e Vaksinimit – Prishtinë

Ahmeti thotë se festimet e fundvitit nga ana e qytetarëve duhet të bëhen në harmoni me masat antiCOVID, pasi që vendi nuk ka dalur nga pandemia.

“Këto gazmendet familjare të bëhen me sa më me kujdes duke respektua masat mbrojtëse dhe duke pas parasysh që ne jemi ende në pandemi”.

“Tani Omicron e kemi edhe në mesin tonë, tash edhe pse fatbardhësisht me numër minimal të rasteve. Me një përkujdesje tonë, besoj që edhe fillimin e vitit të ardhshëm ta kalojmë me numër më të vogël të rasteve”, ka thënë ai.

IKSHPK

Kurse sa i përket mostrave që merren për Omicron, Ahmeti ka deklaruar se ato mund të identifikohen edhe në Kosovë.

“Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik të Kosovës(IKSHPK) i teston për Covid dhe rastet pozitive i teston me një Omicron, meqenëse ata i kanë marr disa tipe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e cila e identifikon edhe Omicronin”, ka përfunduar ai.

Të enjten e 29 dhjetorit, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar për zero persona të vdekur dhe 13 persona të infektuar nga COVID-19.

Aktualisht raste aktive në Kosovë me COVID-19, janë gjithsejtë 350.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore